Zaev:Pas zyrtarizimit, do të zbatojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias

Zaev:Pas zyrtarizimit, do të zbatojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias

Rekomandimet e Komisionit të Venecias për rishikim të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në rast se zyrtarizohen, do të duhet të zbatohen, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev.

Por ai shton se vlerësimet që u publikuan nuk janë përfundimtare, përderi sa qeveria qeveria do të ketë mundësi të shpalosë kundërargumente.

"Jo vetëm që komentojnë por ata ngrejnë pyetjen se çfarë është më e rëndësishme, sundimi i së drejtës nëpërmjet vendimeve të drejta ose përdorimi i gjuhëve. Në sqarimet tona mund të japim sqarime serioze se sa është e rëndësishme edhe e drejta e gjuhës edhe e drejtësisë që në fund ata të mund ta formojnë vlerësimin e tyre. Ne jemi të gatshëm si institucione që vlerësimin përfundimtar të Komisionit të Venecias ta zbatojmë", deklaroi Zoran Zaev.

Zv.kryeministri Bujar Osmani vlerëson se rishikimi i ligjit do të nënkuptonte kthim pas në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Gjithsesi ai shton se vërejtjet do të shqyrtohen.

"Nuk është e vërtetë që Komisioni i Venecias ka dhënë ndonjë raport. Ata për momentin janë versione pune të cilat përpilohen me mendimet e informuesve bazuar në përshtypjen që e kanë krijuar nga vizita njëditore këtu më 7 shtator. Unë kam parë version pune të Komisionit të Venecias që thotë se dygjuhësia në bankënota dhe në uniformat e ushtrisë është gjë e mirë. Ligji i gjuhëve është një ndër shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, ligj i cili na mundësoi që të themi se pjesa administrative e Marrëveshjes së Ohrit është mbyllur. Çdo kthim pas do të nënkuptonte kthim të Marrëveshjes së Ohrit dhe negociata të reja", tha Bujar Osmani.

Kritikat nuk i komenton as Presidenti Stevo Pendarovski, përderi sa ata nuk janë zyrtare. Ai shpehet “pro” përdorimit të gjerë të shqipes.

"Duhet të bëjmë kujdes. Bëhet fjalë për draft version të një dokumenti i cili është marrë para kohë, supozoj për interesa personale ose politike të dikujt. Të presim që të publikohet zyrtarisht dhe do të doja të shoh nëse ajo që u publikua në një ose dy faqe do të mbetet deri në fund me formulimet e njëjta. Kur të kemi version përfundimtar dhe zyrtar, edhe unë si një ndër institucionet e këtij vendi do ta tregoj qëndrimin tim", pohoi Stevo Pendarovski,.

Komisioni i Venecias, sipas një version jozyrtar të publikuar në media, ka vlerësuar se në disa fusha Ligji për përdorimin e gjuhëve shkon shumë larg duke imponuar detyrime juridike joreale ndaj institucioneve publike. “Ky është në veçanti rasti me dispozitat që parashikojnë përdorimin e gjuhës shqipe në proceset gjyqësore të cilat … do të kishin nevojë për përgatitje shumëvjeçare për t’u zbatuar plotësisht. Nga Komisioni evropian për demokraci nëpërmjet ligjeve, jozyrtarisht theksohet se “mosarritja për të siguruar përkthim dhe interpretim që e parashikon ligji gjatë gjithë procedurës përbën një bazë për kthimin e vendimit gjyqësor. Në rrethanat aktuale, nëse Ligji do të zbatohet i plotë, ai do të ngadalësonte ndjeshëm funksionimin e të gjithë sistemit gjyqësor”, theksohet në draft. Komisioni i Venecias kërkon reduktim të sanksioneve për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Sipas autoriteteve në vend, version përfundimtar i vlerësimit të Komisionit të Venecias do të publikohet në fund të vitit.