Meta: Ballkani është shumë jetësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian

Meta: Ballkani është shumë jetësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian

Presidenti Meta ka dhënë një intervistë për televizionin shtetëror të Estonisë, ku ka folur për situatën politike në vend dhe për momentin historik që Shqipëria po pret, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

I pyetur nëse ka një ngërç mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Institucionit të Presidentit, Meta tha se “ky është një ngërç i kanalizuar gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, që u votua në mënyrë unanime tre vjet më parë, kur unë isha Kryetar i Parlamentit dhe kur ne ia dolëm mbanë të arrinim një konsensus me të gjitha partitë parlamentare. Por gjatë zbatimit të reformës në drejtësi përjetuam disa probleme, por shpresoj që së shpejti do t’ia dalim mbanë për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionuese. Gjithashtu, edhe për ta çuar reformën gjyqësore përpara në drejtimin e duhur”. Nga ana tjetër, Presidenti u pyet edhe për integrimin e Shqipërisë në BE ku nënvizoi se Evropa duhet të mbajë dyert hapur për anëtarësimin e Ballkanit duke arsyetuar se “Ballkani është shumë jetësor për qëndrueshmërinë, sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian. Dhe mbajtja hapur e dyerve të zgjerimit për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut, e cila e meriton plotësisht si dhe për vendet e tjera, që shpresojnë të vazhdojnë në këtë rrugëtim, mendoj se ky do të ishte një investim për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e këtij rajoni, që ka qenë dhe do të jetë shumë jetësor për qëndrueshmërinë e mbarë kontinentit”. Sa i përket skepticizmit të disa vendeve lidhur me bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, Meta u shpreh se “këto vende duhet të ndjekin shembullin e Gjermanisë, nëse ende do të kenë një dozë skepticizmi apo rezerva për çështje të caktuara. Mendoj se Bundestagu mori një vendim tepër të drejtë dhe të arsyeshëm për t’i thënë “Po!” hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, por gjithashtu duke pasur një udhërrëfyes të qartë se si do të vazhdojë më tej ky proces”./ATSH/

C