Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë”

Meta: Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë”

Presidenti shqiptar, Ilir Meta deklaroi sot se Shqipëria nuk është në rregull me “detyrat e shtëpisë” për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në një bashkëbisedim me studentët ekselentë të Universitetit Evropian të Tiranës, Meta tha se “jo çdo gjë mund të zgjidhet me lobingje”.

“Sa kohë ka Bundestagu që ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen e hetimit të dosjeve të zgjedhjeve në prokurori? Sa herë kanë folur përfaqësuesit e CDU/CSU për këtë çështje, sepse në fund fare çështja e zgjedhjeve është themelore, sepse nga zgjedhjet varet gjithë funksionimi i së drejtës, i demokracisë, ligjit e me radhë. Kjo është bazike, jo një gjë që mund të anashkalohet. Po mesazhi që dhanë para krizës sonë, kur thanë se shikoni mundësinë për dialog dhe bëni zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore se kjo do t’ju ndihmojë për rrugën evropiane të Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti tha se “ata flasin si evropianë, pastaj nëse ne nuk duam t’i dëgjojmë do të thotë se ne nuk jemi në atë standard që ata janë dhe këto deficite që ne i shtojmë hap pas hapi ata i mbajnë shënim dhe kur vjen dita e llogarisë t’i vendosin në tavolinë”.

“Shqipëria sot për fat të keq ka një lidership në tërësi që nuk do të mbajë përgjegjësi për asgjë. Ne nuk jemi në rregull me ‘detyrat e shtëpisë’. Kemi detyrime që janë mbartur nga viti në vit. Ne vetëm i kemi shtuar këto detyrime në vend që t’i realizonim. Sepse gjëra të thjeshta janë këto, me vullnet politik ato janë gjëra të thjeshta, por nëse ti do të futësh hundët te drejtësia, kuptohet që kjo nuk është rruga për të krijuar atë besim që ata të shohin si partner kaq të qëndrueshëm e serioz”, – tha Meta.

“Dikush mund të thotë se, pse na i vënë këto kushte Bundestagu? Ata kanë 3 vite që na i thonë këto gjëra. Evropa ka disa standarde”, tha Meta.

Presidenti shtoi se “ne këto gjëra i kemi ditur por interesi politik afatshkurtër ka dominuar mbi një interes më të madh të vendit dhe të gjithë shoqërisë”. “Por edhe një iluzion i gabuar se ndonjëherë gjërat mund të zgjidhen me lobingje. Jo çdo gjë zgjidhet me lobing. Janë disa standarde të cilat në fund të ditës ka disa vende që nuk i tolerojnë, sepse mbrojnë veten e tyre nuk është se kanë diçka me ne”, tha Meta.

I pyetur se sa ndikon euroskepticizmi në këtë proces, Meta tha se “nuk është ndihmues, por të mos harrojmë liberalizimin e vizave se si ndodhi, u plotësuan mijëra kritere në kohë rekord dhe pasi u plotësuan të gjitha, ato u bënë”.

Duke bërë një retrospektivë pas, Meta tha se “kemi humbur shumë kohë, pasi në vitin 2001-2002 ne kemi qenë sa i takon BE-së, me të njëjtin ritëm si Kroacia dhe kemi qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi”. “Ne kishim nisur procesin e MSA-së ata se kishin nisur akoma. Tani ku jemi? Ata janë shumë më përpara me kapitujt e negociatave dhe ne ende po rikthehemi për të marrë një autorizim, sepse data nuk është dhe kaq e thjesht”, tha Meta.

Presidenti tha se “kjo nuk është përgjegjësi e popullit shqiptar që është proeuropian, por  politika në nivelet e larta është mjaft toksike, mjaft konfliktuale dhe është artificiale çdo gjë”.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare