Vizita Borrelit dhe Grenellit, mesazh se dialogu duhet të fillojë shpejt

Vizita Borrelit dhe Grenellit, mesazh se dialogu duhet të fillojë shpejt

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, si dhe i deleguari amerikan, për ndërmjetësim në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, pritet të zhvillojnë vizita ndaras gjatë kësaj jave në Kosovë.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se këto vizita sjellin mesazhe për dialogun Kosovë-Serbi, se duhet të fillojë së shpejti.

Ende pa u themeluar institucionet pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Prishtinën pritet ta vizitojnë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Paralajmërimi i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell, se destinacioni i tij i parë në rajon është Prishtina dhe vizita e sotme e të ndërmjetësuesit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas analistëve, janë sinjale që të dy vendet duhet të rifillojnë dialogun. Politologu Ramush Tahiri i tha Radio Kosovës se kjo tregon se bashkësia ndërkombëtare do që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje me Serbinë:

"Në këtë kontest do ta japin porosinë e qartë se Kosova dhe Serbia e kanë përkrahjen për arritjen e marrëveshjes, që ajo duhet të jetë e vullnetshme, duhet të jetë në harmoni me parimet ndërkombëtare të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve që marrëveshja do të përfundojë me njohje reciproke dhe me normalizim të marrëdhënieve" tha ai.

Tahiri thotë se si Bashkimi Evropian ashtu edhe SHBA-ja, nuk pranojnë ndonjë marrëveshje që është kundër vizionit të palëve:

"Çka do të ketë marrëveshja në përmbajtje, nuk bisedojnë as Borelli as Grenelli, por kjo i mbetet palëve që ta përcaktojnë dhe si BE-ja ashtu edhe SHBA pajtohen për cilëndo variant që sjellin palët, me një vërejtje që SHBA ka thënë se nuk pranojnë çfarëdo zgjidhje në kuptimin që nuk pranojnë ndonjë zgjidhje që është kundër vizionit të tyre të rregullimit të marrëdhënieve në Ballkan dhe kundër interesave të popujve sepse udhëheqësi nuk mundet me marrë cfarëdo vendimi dhe në këtë rast as udhëheqësia e Kosovës, dhe ai vendim duhet të jetë i qëndrueshëm do të thotë i pranueshëm në kuptimin e vendimit, por them që marrëveshjet nënshkruhet ndërmjet dy presidentëve ose ndërmjet dy qeverive", tha ai.

Edhe analisti Mazllum Baraliu i tha Radio Kosovës se qëllimi i vizitave është përfundimi i dialogut, por edhe si mision njoftues:

"Ardhja e tanishme mund të merret si një mision njoftues me atë që mund të jetë pra kryeministër potencial, në këtë rast përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së dhe natyrisht edhe me të tjerët e opozitës, pra, do të jetë një mision njoftues dhe paralajmërues për atë që e pret Kosovën, si qeverinë e re lidhur me përfundimin e dialogut me Serbinë", tha ai.

Ndërkohë Bashkimi Evropian, këtë javë, po ashtu pritet të emërojë një të dërguar të posaçëm për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa para dy jave edhe SHBA-ja emëroi ambasadorin e saj në Gjermani, Richard Grenell, si i deleguar për ndërmjetësimin e dialogut Kosovës-Serbi.





Autor: Rrezarta Zekaj, Radio Kosova