Turqia së shpejti nis ofensivën në Siri

Turqia së shpejti nis ofensivën në Siri

Turqia thotë se “së shpejti” do të fillojë një ofansivë në Sirinë veriore, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbrojti përsëri vendimin e tij për tërheqjen e forcave amerikane nga zona.

Raportet thonë se ushtria turke ka forcuar pozicionet e saj në kufirin me Sirinë, duke dërguar dhjetëra kamionë ushtarakë, transportues të forcave të blinduara dhe tanke që shihen duke shkuar për në qytetin e Akcakale.

Ndërkohë, zyrtarët turq thanë se ushtria goditi kufirin Siri-Irak për të parandaluar forcat kurde, që përdorin rrugët për të forcuar njësitë e tyre në rajon.

Ankaraja thotë se synon të krijojë një “zonë të sigurisë” me thellësi 30 kilometra përgjatë kufirit të saj me Sirinë për të rivendosur deri në 2 milionë, nga më shumë se 3.6 milion refugjatët sirianë që jetojnë në Turqi.

Rreth 400.000 njerëz janë vrarë në luftën civile në Siri që nga viti 2011.

Në verilindje të Sirisë gjenden luftëtarët kurdë të njohur si grupi YPG. Ata kanë qenë aleatët më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.

Por, Turqia i konsideron ata si terroristë, dhe dëshiron t’i largojë nga kufiri i saj.

Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Turqinë se do të ketë pasoja nëse “kalon limitet” me ndërhyrjen e saj në atë pjesë të Sirisë. /REL