Rama: Të luftojmë dhe anën e errët të medaljes

Rama: Të luftojmë dhe anën e errët të medaljes

“Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë përpara në drejtim të barazisë gjinore në qeverisje dhe në administratë”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në Forumin Rajonal me temë: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, që u organizua në Tiranë.

Në fillim të fjalës së tij, Rama ndau lajmin e mirë të renditjes së Shqipërisë ndër 10 vendet e para në botë sa i takon barazisë gjinore në qeverisje.

“Kur u nënshkrua Konventa e Stambollit në maj 2011 nuk pati lajme që ta njoftonin atë në vendin tonë se disa ditë më parë patëm zgjedhjet vendore në 384 njësi administrative lokale, komuna dhe bashki. Dhe nga 384 kandidatët e përzgjedhur vetëm 5 ishin gra”, kujtoi Rama.

Ndërkohë, Kryeministri solli në vëmendje se “para disa ditësh kombet e bashkuara publikuan listën apo renditjen e qeverive me barazi gjinore të ekuilibruar”. “Jam shumë krenar të them se ishim në ‘top 5-çen’ e vendeve, së bashku me Suedinë, Finlandën etj”, tha Rama.

Rama tha se sot “kemi 50% të këshillave bashkiakë të cilët janë me përfaqësi grash dhe kemi pasur sukses të arrinim një ekuilibër perfekt mes përfaqësuesve vendorë në këshillat bashkiakë ndërsa në qeverisje kemi më shumë gra se burra”.

“60% e komisioneve drejtuese tonat në administratën publike mbahen nga gratë. Edhe nga përvoja ime ju them se nëse doni të flisni dhe të bëni diskutime të gjata pa bërë asgjë, e bëni me burra, por nëse doni të punoni realisht dhe doni që gjërat të bëhen është më mirë të zgjidhni gratë. Përvoja shkon në këtë mënyrë: burrat pohojnë thonë ‘po’ dhe në fund nuk e bëjnë dhe pastaj fillojnë një listë justifikimesh të njohura. Kur i thua një gruaje se mund ta bësh ajo të thotë ‘jo’ nëse nuk mundet, por kur thonë ‘po’ është e sigurt se do ta bëjnë”, tha Rama.

Kryeministri tha se Shqipëria doli nga komunizmi dhe hyri në një fazë tranzicioni ku në njërin krah kishim shumë gra që falë shanseve që u ofruan u bënë imazhe publike, sipërmarrëse etj, por sigurisht që patëm edhe keqkonkurrenca kudo. Falë Zotit këtë e shoh më të qetësuar tani”, tha Rama.

Por ai kujtoi se “veçanërisht në zonat rurale dhe periferike kemi pasur një rikthim të zakoneve të vjetra, psh. familjet nuk lënë vajzat të ndjekin shkollën, burrat nuk lënë gratë të punojnë. E gjitha kjo solli një sasi të mjaftueshme të dhunës në familje”, tha Rama.

Ai theksoi se “është koha të nxisim dhe të shtyjmë më shumë në këtë drejtim dhe jo thjesht të vetëkënaqemi se kemi më tepër gra në administratë, sepse në fakt është dhe ana tjetër e medaljes që është shumë e errët dhe ne duhet ta luftojmë fort”. /ATSh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare