Bebe Rexha i jep mbështetje Greta Thunbergut

Bebe Rexha i jep mbështetje Greta Thunbergut

Aktivistja adoleshente, Greta Thunberg, është kthyer padyshim në një fenomen botëror.

Ajo mund të shquhet absolutisht si një nga personazhet më me ndikim të këtij viti, me thirrjet e vazhdueshme dhe kauzat e saj, me shpresën për ta çuar botën përpara drejt një të ardhme më të pastër dhe të sigurt.

Që kur ajo debutoi me thirrjet e saj të shumta për ndryshimet klimatike, jo vetëm mediat ndërkombëtare por edhe personalitete të shumta, i kanë dalë në krah adoleshentes nga Suedia.

Greta Thunberg (Foto: Minas Panagiotakis/Getty Images/Guliver)

E së fundmi, edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka treguar se e mbështetë fuqishëm iniciativën e Thunberg.

Ajo publikoi së fundmi një video në Facebook, ku shfaqej një përmbledhje e aktiviteteve të realizuara nga Greta, duke përfshirë portestat masive dhe thirrjet e panumërta për një vetëdijësim në marrjen e masave konkrete për ndryshimet klimatike.

Bebe Rexha (Foto: Alexandre Schneider/Getty Images/Guliver)

E gjithë videoja përmbledhëse me aktivitetet e saj, shoqërohet nën ritmet e këngës “You Can’t Stop The Girl”, të cilën këngëtarja e realizoi së fundmi si kolonë zanore për filmin “Maleficent 2” – këngë kjo e cila e përkthyer në shqip do të thotë “Ju nuk mund ta ndaloni këtë vajzë”.

Mesa duket, mesazhi që transmeton kënga duket se i përshtatet më së miri misionit të Gretës, e cila tash e sa kohë nuk ka rreshtur së ndaluari për t’i çuar përpara qëllimet e saj, me vlerë të përbashkët kolektive të shoqërisë.

Bebe Rexha edhe më parë ka bërë një status në Twitter, ku kishte etiketuar Gretën, duke i shkruar se kjo këngë ishte dedikim për të.

“Hej Greta Thunberg, kjo këngë është e dedikuar për ty”, kishte shkruar në Twitter këngëtarja me prejardhje shqiptare, shumë e famshme në tregun ndërkombëtar.