Dështon gjykimi ndaj inspektorit të AUV-së

Dështon gjykimi ndaj inspektorit të AUV-së

Ka dështuar të fillojë gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj inspektorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Branislav Veselinoviq.

Bashkë me të, në këtë rast për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe pronari i firmës NPT “Elbasani”, Izet Jashari.

Veselinoviq akuzohet se në qershor të vitit 2016, në cilësinë e personit zyrtar në AUV, përkatësisht inspektor i veterinës në terminalin doganor në  Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Serbia në Kosovë, kamionë të ngarkuar me 30 krerë dema, në vlerë prej 18.876,00 euro.

Kurse, Izet Jashari akuzohet se në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Kosovë 30 krerë dema, të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, seanca e së martës në këtë rast, ka dështuar të mbahet, për shkak se ka munguar i akuzuari Izet Jashari.

Sipas gjykatësit, Tomisllav Petroviq, i akuzuari Jashari ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Meqenëse, nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, gjykimi është shtyrë për 13 nëntor 2019, në ora 10:00.

Gjykatësi Petroviq, ka thënë se për seancën e ardhshme ndaj të akuzuarit Jashari do të lëshohet urdhëresë  për sjellje me detyrim.

Seancën e së mërkurës, prezentë kanë qenë prokurori Ismet Ujkani, si dhe i pandehuri Veselinoviq, me mbrojtësin e tij, avokatin Faruk Korenica.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 31 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Branislav Veselinoviq dhe Izet Jashari, duke i ngarkuar secilin me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri  Veselinoviq, më 7 qershor 2016, në cilësinë e personit zyrtar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës, inspektor i veterinës në terminalin doganor në Mitrovicë të Jugut, kishte lëshuar të hyjnë nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës, kamionët të ngarkuar me 30 krerë dema në vlerë prej 18.876,00 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, krerët me dema kishin qenë të NPT “Elbasani” me pronar të pandehurin Izet Jashari, ku për këtë ngarkesë i pandehuri Veselinoviq kishte lëshuar certifikatën për kontrollin veteriner të kafshëve të gjalla dhe prodhimeve të tyre edhe pse për të njëjtën ngarkesë nuk kishte pasur leje importi të lëshuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Jashari, në cilësinë e agjentit dhe pronarit të NPT “Elbasani”, kishte importuar nga Serbia në Republikën e Kosovës 30 krerë dema të cilët përmes terminalit doganor ishin futur pa leje importi.

Siç thuhet në aktakuzë, 30 krerë dema në vlerë prej 18.876,00, kishin qenë të destinuar për therje dhe se i pandehuri Jashari, kishte qenë i obliguar që t`i dërgonte në thertoren e licencuar, porse i njëjti 18 krerë dema i kishte shitur në treg me çmim prej 18 mijë euro. /BetimipërDrejtësi