Rama: Rekomandimet e OSBE-ODIHR t’i kalojmë në komision

Rama: Rekomandimet e OSBE-ODIHR t’i kalojmë në komision

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se OSBE-ODIHR e përcakton nëse zgjedhjet janë të lira ose jo.

Duke replikuar me deputetin e opozitës Myslym Murrizi, Rama tha se, “sa i përket zgjedhjeve të lira s’kam lexuar as në gjermanisht, as në frëngjisht, as holandisht, nuk e di në çfarë gjuhë tjetër mund të jenë shkruar, por në këto gjuhë jo nuk i kam lexuar që kërkohen zgjedhje të lira. Nuk kërkon njeri zgjedhje të lira sepse zgjedhjet janë të lira. Dhe të lira apo jo nuk e përcaktojnë muhabetet tona këtu, por e përcakton OSBE-ODIHR”.

“Kam lexuar po, që duhet bërë reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it nuk ka as sistem, as nga ato të tjerat, por ne kemi të drejtën t’i diskutojmë. Ju keni të drejtën t’i ngrini ne kemi të drejtën t’i diskutojmë. Nuk ka as votë emigrantësh nuk thotë, por ne duam ta bëjmë”, u shpreh Rama.

“Ama në gjermanisht është shkruar ajo që duhet të kishim bërë me kohë me vite dhe që në fakt është problemi i vërtetë i sistemit. Problemi i sistemit nuk është a do t’i zgjedhë populli drejtpërdrejt me emra a do t’i zgjedhë me lista të hapura. Nuk është fare ky problemi. Se po të ishte kaq e thjeshtë e gjithë bota demokratike do e kishte kështu si thoni ju. Por nuk e ka kështu si thoni ju”, theksoi Rama.

“Asnjë sistem zgjedhor nuk është më i mirë se tjetri. Kjo është aksiomë nuk e kam nxjerrë unë. Dhe po të mos ishte ky sistem këtu do të kishim shumë më tepër njerëz që do të thoshin Peqini dhe Kavaja janë më të rëndësishme se Franca nuk diskutohet. Po të mos ishte ky sistem këtu do të ishte kafja e burrave akoma siç ka qenë gjithmonë. Këto janë diskutime legjitime. Nuk ka problem. Rekomandimi nuk ka lidhje me këto. Këto mund t’i diskutojmë. Ajo që duhet të bëjmë është që të bëjmë reformën me dy shkallë. Të kalojmë rekomandimet në komision”, u shpreh Rama.