Irani zhvillon ushtrime të befasishme ushtarake afër Turqisë

Irani zhvillon ushtrime të befasishme ushtarake afër Turqisë

Ushtria e Iranit ka nisur ushtrime të paparalajmëruara ushtarake në pjesën veriperëndimore të vendit, pranë kufirit me Turqinë. Lajmin e bënë të ditur mediet shtetërore të republikës islamike.

Agjencia e lajmeve, ISNA, raportoi të mërkurën se në këto ushtrime po marrin pjesë njësitet e reagimit të shpejtë, brigadat mobile, brigadat sulmuese si dhe janë përfshirë edhe helikopterët.

Këto ushtrime në pjesën perëndimore të vendit janë duke u mbikëqyrur nga gjenerali i ushtrisë iraniane, Abdolrahim Musavi.

Në raportimet e medieve nuk është përmendur numri i trupave që po marrin pjesë në këto ushtrime.

Njoftimi për këto ushtrime erdhi në kohën kur Turqia ka paralajmëruar ofensivë në pjesën veriore të Sirisë kundër forcave kurde, të cilat i vlerëson si kërcënim serioz për sigurinë e rajonit.

Në anën tjetër, Irani, i cili është aleat i rëndësishëm i presidentit sirian, Bashar al-Assad, i ka kundërshtuar planet e Turqisë për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, i ka bërë thirrje Ankarasë që të tregojë vetëpërmbajtje dhe t’i shmangë veprimet ushtarake në pjesën veriore të Sirisë. Ai gjithashtu tha se trupat amerikane duhet të largohen nga Siria dhe se forcat kurde duhet ta përkrahin ushtrinë siriane, shkruan “Free Europe”