Fondacioni i Navalnit përkufizohet si "agjent i huaj"

Fondacioni i Navalnit përkufizohet si "agjent i huaj"

Ministria ruse e Drejtësisë e ka quajtur fondacionin jo-fitimprurës të liderit të opozitës, Alexei Navalny kundër korrupsionit, një "agjent të huaj" sipas një ligji të vitit 2012, i cili u kritikua gjerësisht nga Perëndimi për stigmatizimin e grupeve me qëllim.

Navalny hodhi poshtë menjëherë njoftimin e ministrisë të mërkurën, duke thënë se autoritetet ruse kanë frikë nga fondacioni i tij (FBK) për shkak të provave të korrupsionit që mund të nxjerrë mbi ta.

"Ne kërkojmë që Ministria e Drejtësisë t'u shpjegojë publikisht të gjithëve dhe të japë prova që fondacioni FBK ka marrë të paktën një qindarkë nga para të huaja," tha Navalny në një postim në Twitter.

"Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë janë absolutisht të paligjshme dhe, padyshim, me urdhër të drejtpërdrejtë të [Presidentit Vladimir] Putin ... Putini ka shumë frikë nga FBK-ja. Në fund të fundit, ai mbështetet në fuqinë e hajdutëve, ryshfeteve dhe zyrtarëve të korruptuar. Dhe ne ekspozojmë korrupsionin. Ne nuk do të ndalemi nga asgjë", shtoi ai.

Përcaktimi i Fondacionit Kundër Korrupsionit si agjent i huaj i nënshtrohet të njëjtave kërkesa si organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë, që sipas ligjit duhet të aplikojnë për përfshirje në një regjistër qeveritar, dhe të paraqesin raporte të rregullta që mbulojnë burimet e tyre të financimit, objektivat e tyre, mënyrën e shpenzimit të parave, dhe kush janë menaxherët e tyre.

Përcaktimi i një organizate jofitimprurëse "që kryente funksionet e një agjenti të huaj u saktësua gjatë një hetimi të aktiviteteve të saj", tha ministria e drejtësisë në një deklaratë.

Fondacioni Kundër Korrupsionit u themelua në vitin 2011 nga Navalny, udhëheqësi më i shquar i opozitës në Rusi dhe një avokat me profesion i cili ka ndjekur me zell provat e korrupsionit në nivelin më të lartë të politikës ruse.

Hetimet e fondacionit provokojnë rregullisht shqetësime të publikut për keqpërdorimin e fondeve të shtetit. Në vitin 2017, një hetim në pasurinë e kryeministrit Dmitry Medvedev u bë katalizator për një valë tubimesh masive që shpërthyen në Rusi atë mars.

Navalny kohët e fundit vuajti një dënim prej 30 ditësh nën dyshimet për organizimin e protestave të fundit kundër përjashtimit të kandidatëve të pavarur nga zgjedhjet e shtatorit për këshillin e qytetit të Moskës.

Nga 30 kandidatët e ndaluar për të kandiduar, pesë ishin të lidhur ose të punësuar nga Fondacioni Kundër Korrupsionit.

Në gusht, fondacioni tha se të gjitha llogaritë e tij ishin bllokuar pasi komisioni më i fuqishëm hetimor i vendit po bënte një kontroll për pastrim parash që kërcënoi mbijetesën e fondacionit si një forcë e vetë-shpallur për të sjellë përgjegjshmërinë elitare dhe ndryshimet politike./VoA