Grenell përfundon takimet me liderët partiakë

Grenell përfundon takimet me liderët partiakë

I Dërguari Special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell i ka përfunduar takimet me të gjithë liderët partiakë në Kosovë.

Fillimisht, ai e ka takuar liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin – i cili sipas rezultateve të deritanishme zyrtare del se është fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pas Kurtit, emisari i Donald Trumpit ka takuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën dhe kandidaten e këtij subjekti për kryeministre, Vjosa Osmanin.

Grenell takime të ngjashme ka pasë edhe me dy liderët e tjerë partiakë – Kadri Veselin e PDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Por, pas asnjërit nga këto takime të njëpasnjëshme të zyrtarit të lartë amerikan në objektin e Ambasadës Amerikane në Kosovë nuk pati prononcime për media – nga asnjëra palë.