Mertens: Po përjetoj momentin më të mirë në karrierë

Mertens: Po përjetoj momentin më të mirë në karrierë

Pavarësisht se ka në skuadër shumë sulmues, Dries Mertens vazhdon të jetë pika e referimit e Carlo Ancelottit në sulmin e Napolit.

Belgu shtatshkurtër është një golashënues i lindur dhe falë aftësive të tij edhe në rolin e qëndërsulmuesit ka ulur në stol emra me peshë si Milik, Lozano e Llorente.

Forma fizike shumë e mirë që zotëron belgu është edhe çelësi i suksesit siç e konfirmon vetë lojtari në një intervistë nga grumbulli me përfaqësuesen e Djajve të Kuq.

“Ndihem shumë mirë, jam 32 vjeç, por jam më mirë edhe se futbollistë që janë 25-26 vjeç. Kjo vjen ndoshta sepse nuk kam fëmijë. Po përjetoj momentin më të mirë të karrierës time. Pretendoj të luaj edhe për shumë vite”.

Përsa i përket arritjes së rekordit të Maradonës për numrin e golave të shënuar, Mertens aktualisht ka shënuar 113 gola ndërsa argjentinasi është ndalur në shifrën 115.

“Jam afër shifrës së golave të Maradonës, është një nder për mua t’i afrohem një legjende të tillë” përfundoi Mertens.