“FFK bashkë me Qeverinë treguan se jemi shtet serioz”

“FFK bashkë me Qeverinë treguan se jemi shtet serioz”

Eroll Salihu, sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në emisionin “Imazh” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka folur për ndalesën e Cervena Zvezdes për të luajtur në Kosovë.

Zvezda sot është ndaluar në Jarinë nga Policia e Kosovës, duke parandaluar zhvillimin e ndeshjes me Trepçën.

Salihu e vlerësoi lart veprimin e institucioneve të Kosovës për ndalimin e skuadrës serbe. Sipas tij, vetëm FFK organizon garat në territorin e Kosovës, dhe asnjë klub nuk mund të luajë pa lejen e FFK-së.  

“Sigurisht se është konstatim i saktë, sepse Serbia përdor sportin si mjet, e terë bota e ka marrë vesh se është destruktive. Sa i përket FFK mund të them se FFK është pranuar më drejta të plota në UEFA e FIFA dhe është e vetmja që organizon gara në territorin e Kosovës”, tha Salihu, raporton RTKLive.com.

“Ne e kemi ditur për një gjë të tillë dhe ne kemi dërguar letër të UEFA e cila nuk ka reaguar, por në mënyrë diplomatike ka tentuar më zbrapse. Po të lejohet Zvezda më luajtur, ata do të thonë se kanë luajtur në vendin e vet. Ata kanë dashur të destabilizojnë një federate. FFK ka qenë në njohuri dhe ne nuk do të lejojmë të luajnë brenda territorit tonë”, theksoi Salihu.

Ndërkaq, komentatori i njohur i RTK-së, Andin Lokaj mendon se ky veprim i klubit serb nuk ka qenë rastësi, sepse sipas Lokajt, ky veprim i klubit serb ndodh në prag të miqësores me Gjibraltarin dhe Malin e Zi. Lokaj thotë se FFK bashkë me Qeverinë e Kosovës treguan se jemi në fillet e një shteti serioz. Madje, Lokaj mendon se edhe shorti për ndeshjen Trepça-Cervena Zvezda ka qenë i kurdisur.

“Nuk ka qenë rastësi farë sepse po ndodh para ndeshjes me Gjibraltarin dhe Malin e Zi, por kjo çfarë kanë bërë ata sot ishte befasuese për mua. Sepse FFK bashkë me Qeverinë kemi treguar se jemi në fillet e një shteti shumë serioz. Ti thuash jo një klubi të madh si Zvezvda, një klub i madh që luan në Champions, kjo tregon seriozitetin tonë”, tha Lokaj.

“Qysh mendoj njerëzit së ne nuk e kontrollojmë atë pjesë, sot u pa se ne po kontrollojshim atë pjesë. FFK me institucionet tona të larta janë të vetëm që parandalojnë gjera të tilla”.

“Mendoj se edhe shorti ka qenë i kurdisur, sepse ata bëjnë gjera të tilla. Është një xhelozi e madh e atyre më atë që ka arritur sporti ynë”, pohoi Lokaj.

Salihu ka folur edhe për dy ndeshjet e radhës së “Dardanëve”. Kosova nesër luan miqësoren me Gjibraltarin, kurse, katër ditë më vonë përballet me Malin e Zi në kuadër të kualifikueseve për EURO 2020.

Salihu është i bindur se “djemtë tonë do të hynë në ndeshje që të fitojnë dhe të na bëjnë krenar”.

 

Autor: RTKLive