Gnabry frymëzon Gjermaninë, Argjentina “zgjohet” në pjesën e dytë

Gnabry frymëzon Gjermaninë, Argjentina “zgjohet” në pjesën e dytë

Tifozët në “Signal Iduna Park” të Dortmundit shijuan një 90-minutësh spektakolar në miqësoren e luksit mes Gjermanisë dhe Argjentinës, që prodhoi një përballje mjaft të fortë dhe plot 4 gola, por asnjë fitues, pasi rezultati final ishte 2-2.

Pjesa e parë u dominua tërësisht nga ana e tedeskëve, që shënuan fillimisht në minutën e 16’ me anë të sulmuesit të Bayernit Gnabry, ndërsa vetëm 6 minuta më vonë, ky i fundit shërbeu për Havertz, që shënoi edhe golin e dytë.

Nga ana tjetër, dyshja Lautaro Martinez dhe Paulo Dybala, që shkëlqyen në derbin e Italisë të dielën në mbrëmje, nuk arritën të thyejnë mbrojtjen gjermane dhe portierin Ter Stegen ,që sot ishte preferuar nga minuta e parë.

Megjithatë reagimi i amerikano-jugorëve erdhi në pjesën e dytë kur trajneri Lionel Scaloni aktivizoi disa futbollistë, ndërsa njëri prej tyre, Alario gjeti golin e parë për argjentinasit, në minutën e 66’.

Pesë minuta nga fundi, ishte sërish Alario që këtë herë asistoi për sulmuesin e Sevillas, Lucas Ocampo, me këtë të fundit që mposhti për herë të dytë Ter Stegen dhe vulosi baraspeshën e rezultatit, transmeton SS.

Takimi i radhës për Gjermaninë do të jetë ai i vlefshëm për eliminatoret e Euro 2020-ës përballë Estonisë në transfertë, ndërsa Argjentina do të luajë një takim miqësor ndaj Ecuadorit në Alicante të Spanjës.