Diskutimet për negociatat, Greqia: Jo ndarje të Tiranës e Shkupit

Diskutimet për negociatat, Greqia: Jo ndarje të Tiranës e Shkupit

Ministri i jashtëm plotësues i Greqisë deklaroi se vendi i tij është pro çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Në atë që shihet si një ndryshim pozitiv kursi nga ana e Athinës në raport me vendin tonë dhe përpjekjet e tij për tu bërë pjesë e bllokut europian, Miltiadis Varvitsiotis e bëri të qartë se fqinji ynë jugor nuk mund ta pranojë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndahen në procesin e negociatave.

“Për shkak të pranisë së një elementi shqiptar në rajon, ndarja dhe çelja e bisedimeve të anëtarësimit vetëm me një vend kandidat mund t`i hapë rrugën destabilizimit në kufirin tonë verior”- tha Miltiadis Varvitsiotis, ministër i jashtëm plotësues .

Duke folur përpara Komisionit Parlamentar për mbrojtjen kombëtare dhë çështjet e jashtme, Varvitsiotis pohoi se Greqia është në favor të një drite jeshile të BE-së për fillimin e negociatave me të dy vendet.

Athina, nënvizoi ai, e ka mbështetur gjithmonë politikën europiane të zgjerimit me qëllim përfshirjen e vendeve të ballkanit perëndimor, transmeton TCH.

Ne besojmë se ky është një mjet i fortë për të arritur paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon e më gjerë, shtoi ministri, duke theksuar se mbështetja greke për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur në mënyrë të pandashme me plotësimin e kushteve dhe performancën e vendeve kandidate.

Qëndrimi i Varvitsiotis dëshmon se ka një ndryshim të fortë në linjën e Athinës zyrtare lidhur me çeljen e negocjatave për Shqipërinë, duke qenë vetëm një muaj më parë, shefi i ekzekutivit grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqia nuk do ta mbështeste hapjen e tyre, nëse qeveria shqiptare nuk respekton të drejtat e minoritetit grek.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare