Sot në RTK 1, Kosova - Gjibraltari

Sot në RTK 1, Kosova - Gjibraltari

Kosova rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”, kësaj radhe për ndeshjen miqësore kundër modestëve të Gjibraltarit, një ndeshje kjo që do t’i shërbejë përzgjedhës Bernard Challandes që t’i shohë nga afër vlerat e secilit futbollistë.

Njëherësh, kjo ndeshje do t’i mundësojë trajnerit zviceran që ta përgatisë sa më mirë duelin kundër Malit të Zi, i cili  vlerësohet si një finale tjetër për Dardanët në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Në stërvitjen e fundit Challandes i ka provuar disa skema të lojës, teksa ka paralajmëruar se kundër Gjibraltarit do t’i japë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur më pak në ndeshjet e deritashme, por edhe që kanë pasur më pak minuta lojë në klubet e tyre. Në konferencë për media një ditë para ndeshjes, Challandes, theksoi se Gjibraltari është një kundërshtar jo i lehtë, teksa bëri të ditur se nuk do të rrezikojë me përfshirjen e Milot Rashicës në këtë miqësore, e me gjasë njëjtë do të veprojë edhe me Vedat Muriqin e Herolind Shalën.
Ndeshjen Kosova – Gjibraltari do të mundë ta ndiqni drejtpërdrejt në RTK 1, me fillim në orën 18:00.