Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se kishte sulmuar dy infermierë

Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se kishte sulmuar dy infermierë

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, të enjten, e ka dënuar me tre muaj burgim me kusht të akuzuarin për sulm ndaj personit zyrtar, Azem Xhema.

Mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet në afatin verifikues prej një viti, nëse i akuzuari gjatë kësaj kohe nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur gjyqtari i çështjes Bekri Vehapi, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Gjyqtari Vehapi, e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.

Në seancën fillestare të së enjtes, i akuzuari ka thënë se e pranon fajësinë, duke premtuar se në të ardhmen nuk do të përsëris veprime të ngjashme.

“Me vjen keq për atë që ka ndodhur. Nuk do të përsëritet më .E pranoj fajin me vullnet dhe me vet dëshirë, kërkoj nga gjykata që të marrë parasysh gjendjen time ekonomike dhe të gjitha rrethanat lehtësuese”, ka thënë ai.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Beqë Shala, pasi që siç ka thënë ai, i njëjti është bërë me vullnet dhe është në përputhje me provat me të cilat mbështetet aktakuza.

Sipas aktakuzës së ngritur me 31 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Azem Xhema akuzohet se më 19 korrik 2019, në orën 17:00, në ambientin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Dragash, me dashje sulmon fizikisht personat zyrtarë, konkretisht infermierët Mervan Salihun dhe Muhamed  Hulaj, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që derisa bashkëshortja e të pandehurit ishte duke marrë trajtim mjekësor, i pandehuri del në korridor duke bërtitur në prezencë të pacientëve, ku në atë moment i dëmtuari Mervan Salihu ia tërheq vërejtjen që të jetë më i qetë për shkak se ka pacientë tjerë, pastaj reagon edhe i dëmtuari Muhamed Hulaj.

Gjithnjë sipas aktakuzë, i akuzuari duke mos përfillur vërejtjen e personave zyrtarë, e kap për fyti me dy duar të dëmtuarin Hulaj, e pastaj e godet me grusht në pjesën e kokës të dëmtuarin Salihu.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, e paraparë në nenin 402, paragrafi 1, e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi