Kosova shënon “Ditën e Shëndetit Mendor”, bëhet thirrje për meditim

Kosova shënon “Ditën e Shëndetit Mendor”, bëhet thirrje për meditim

Me rastin e 10 Tetorit-Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor”, Qendra për Këshillim, Shërbime Shociale dhe Hulumtime (SIT), ka organizuar kampanjën vetëdijesuese “I am Whole” – “Jemi një”.

Erza Islami, vullnetare e grupit “Bonu burrë” kishte një mesazh për të gjithë ata që janë në depresion apo në ankth.

Ajo porositi që të flasin me të tjerët në mënyrë që t’i përballojnë më lehtë brengat dhe problemet e përditshme.

“Ne do ti kushtojmë rëndësi të madhe shëndetit mendor dhe mesazhi im për të gjithë është se të gjithë ata që ndihe keq apo janë në ankth ose ndjejnë depresion atëherë ata duhet të flasin me të tjerët dhe problemet ti zgjidhin të gjithë së bashku”, tha ajo.

Doruntina Golaj tha se përmes kësaj kampanje  po përçojnë mesazh te të rinjtë që ata së paku një orë në ditë t’ia kushtojnë vetes për shëndetin mendor.

“Sot jemi duke marr pjesë në fushatën globale ‘I am Whole’. Ndërkaq ne sot në Kosovë po e ndërtojmë këtë fushatë për herë të dytë. Sot ne me të rinjtë po organizojmë një për me të rinjtë për të kujdesur për shëndetin mendor dhe po mundohemi që këtë mesazh ta përçojmë tek të rinjtë që çdo ditë të kenë të paktën një orë në ditë që të kujdesen për shëndetin mendor”, tha ajo.

Edhe këngëtari Florent Abrashi porositi të rinjtë që për problemet e mundshme të këshillohen me të tjerët.

“Sivjet kemi qenë në Londër në kuadër të kësaj fushate ku kam përformu dhe kemi pas pjesëmarrës nga e gjithë bota. Mesazhi im për ‘Im a Whole’ është që mundohemi me gjet dike për rreth që ka probleme dhe jemi të rrethuar me njerëz që kemi problemet gati të njëjtat dhe kom mendua që ne veç mëse flasim me dikë e kemi shumë më të lehtë. Atëherë qoftë prindi shoku mësuesi bisedoni me dikë për problemet tuaja”, tha ai.

Ndërsa Menaxherja e këtij programi Dorina Glloxhani u tregoi vullnetarëve se si të meditojnë.

“Per me e pas më të lehtë jogën duhet me i mbyllë sytë ose me i fokosua sytë te një pikë që të mos hup koncentrimi”, tha ajo.

10 tetori është shpallur nga OKB si Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pa stabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuar, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.

Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.

Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz,  raporton EkonomiaOnline.