Veseli: PDK gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit

Veseli: PDK gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia që e drejton do të jetë gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit.

Ai është shprehur kështu përmes një postimi në Facebook, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të saj.

Postimi i tij i plotë:

Partia Demokratike e Kosovës sot shënon 20 vjet të themelimit të saj, një rrugëtim ky i jashtëzakonshëm për vendin dhe për qytetarët tanë.

Si bartëse e proceseve më të rëndësishme në vend - lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit, Partia Demokratike e Kosovës ka lënë shenjat e saj të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

Si krijuese e projekteve të mëdha për vendin, e përkushtuar për ndryshime rrënjësore dhe me një energji shembullore, me njerëz të ndershëm që kanë dhënë kontribut aq shumë të çmuar, si dhe me shumë të reja e të rinj, Partia Demokratike e Kosovës ka transformuar Kosovën dhe veten, duke e bërë secilin të ndjehet krenar.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet garantuese e stabilitetit të shtetit të Kosovës dhe partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian.

Ky 20 vjetor e gjen Partinë Demokratike në një rol të ri, si lidere opozitare, por gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit.

Urime të gjitha strukturave, anëtarëve dhe mbështetësve, veçanërisht themeluesve, dhe falemnderit nga zemra për përkrahjen e dashurinë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Bashkë, do të ecim tutje, edhe më të fuqishëm!