Sherifi: Jemi futur në listën e partive që kanë kaluar pragun zgjedhor

Sherifi: Jemi futur në listën e partive që kanë kaluar pragun zgjedhor

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Bilall Sherifi është shprehur i bindur se ky koalicion e ka kaluar pragun zgjedhor.

Në një intervistë për T7, Shefiri ka thënë se Nisma ka kaluar pragun dhe tani po pret që të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja. “Qesh mirë kush qesh i fundit”, ka thënë Sherifi.

“Në momentin që po flasim, ne jemi futur në listën e partive që kanë kaluar pragun zgjedhor. Presim të kemi së paku shtatë mandate për deputetë”, ka thënë Sherifi.

Nisma kishte bërë ankesë për një gabim teknik gjatë numërimit, të cilën KQZ-ja e ka konfirmuar dhe tani është konfirmuar që do të rinumërohen edhe 303 vendvotime.

“Nuk po kuptoj se pse partitë tjera nuk po na përkrahin që të ketë rinumërim. Ka pasur problem me formularë në numërim dhe këtë e ka konfirmuar edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka”, tha ai.

Bilalli e ka pranuar që i gjithë procesi i votimit ka shkuar për së mbari, por problemi kishte qenë tek formularët. Ai thotë se ka pasur gabime në bartjen e të dhënave, pas hapjes së kutive të votimit.

“E vërteta e plotë është brenda kutive të votimit. Askush nuk po e konteston vullnetin e qytetarëve. Por kur janë hapur kutitë dhe ka filluar bartja e tyre në formularë, aty pastaj janë bërë gabime të mëdha që rrezikon vërtetësinë e të dhënave. KQZ duhet të pranojë gabimin dhe të shpallë rinumërimin në tërë territorin, ndryshe e dërgojmë këtë në Kushtetuese”, tha ai. 

Shefiri ndër të tjera në këtë emision ka folur edhe për rikithimin e mundshëm të Nismës në PDK.

Këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook i ka bërë thirrje Fatmir Limajt të kthehet në PDK.

Mirëpo Sherifi ka pasur një përgjigje të veçantë rreth kësaj teme. “Kjo është e shkuar e harruar. Përgjigjen më të mirë rreth e kësaj e pat thënë bashkëshortja e Blerim Xhemajlit, futbollistit të zvicrës, që e kanë pyetur se a mund të kthehesh me këtë të fundit. Ajo pati dhënë këtë përgjigje: Supën e ftohtë nuk është mirë me nxe dy herë”, ka shtuar Sherifi.