Nga janari 325 raste me kancer të gjirit te femrat dhe 8 tek meshkujt

Nga janari 325 raste me kancer të gjirit te femrat dhe 8 tek meshkujt

Nga janari i këtij në Klinikën e Onkologjisë janë paraqitur 325 raste me kancer të gjirit te femrat.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i tha Ekonomia Online se deri më tani numri i grave me kancer të gjirit është rritur për 3 deri ne 4 %.

“Në krahasim me vitin e kaluar në Kosovë këto nëntë muaj kemi evidentuar një numër prej 325 raste që i bien diku 3 deri 4 për qind më shumë se vitin e kaluar, dhe lutemi që ky numër deri në fund të vitit mos të kalojë shifrën 400″.

“Ky trend i rritjes së incidente së këtyre sëmundjeve malinje është i njëjtë në të gjithë vendet e Ballkanit, por nuk është aq alarmante. Mund të ketë ndonjë rast që nuk lajmërohet te ne i cili mund të kërkojë trajtim jashtë Kosovës, por gjithsesi brenda vitit në secilin rast marrin shërbimin e Onkologjisë”, tregoi Kurtishi.

Ky evidentim i rasteve të grave të prekura me kancer, sipas Kurtishit 70 për qind del të jetë i saktë, mirëpo që në vendet e rajonit, numri është shumë më i madh se në Kosovë.

“Sa i përket klinikës së Onkologjisë ky evidentim 70 për qind është i saktë dhe meqenëse ka një tendencë në rritje të sëmundjeve malinje, kjo është e njëjtë sikurse ndodhë në secilin vend të rajonit. Në Shqipëri çdo vit evidentohen një numër dyfish më i madh se tek ne, ose edhe në Maqedoni ku kanë një popullatë pothuajse të njëjtë”.

Kanceri i gjirit është një sëmundje që prek edhe meshkujt. Sipas onkologut, në Kosovë, çdo vit lajmërohen 10 meshkuj të sëmurë nga ky lloj kanceri.

“Është interesant që kanceri i gjirit nuk lajmërohet vetëm te femrat, por edhe tek meshkujt. Në Kosovë gati çdo vit kemi 10 meshkuj të sëmurë nga kjo sëmundje dhe gjithmonë tek meshkujt kjo sëmundje është shumë më agresive edhe pse trajtimi është i njëjtë. Pra, kjo është jo e favorshme”.

Kurtishi, thekson se simptomat janë të njëjta për të dy gjinitë, raporton EO.

“Simptomat te sëmundjet malinje në stadin e hershëm të sëmundjen nuk vërehen, nuk ka simptome. Për këtë arsye ne edhe rekomandojmë që femrat pas moshës 40 vjeçare të bëjnë ekzaminime rutinë që këtë sëmundje ta gjejmë më herët. Kur lajmërohen shenjat, atëherë sëmundja është e avancuar , por si më karakteristikë që femra lajmërohet te mjeku është nëse vëren ndonjë gjëndër, një gungë në gji të cilën nuk e ka pasur më herët”.

“Por, edhe kjo zakonisht neglizhohet nga ana e pacientit dhe lajmërohet kur fillon ti dhemb dora ose kur fillon me ndërruar ngjyrën lëkura e gjirit, ose nëse fillon me rrjedh gjiri, kur fillon të ketë dhimbje më të shpeshta, vështirësi gjatë gjumit, këto janë shenjat që e karakterizojnë këtë sëmundje”, tregoi ai.

Kurtishi, më tej bën të ditur se faktorët që ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje, janë të ndryshëm, duke u nisur nga mosha  e deri te kualiteti i jetës.

“Shkaqet që sjellin deri tek sëmundjet malinje janë të ndryshme, i ndajmë në dy grupe: faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Faktorë të brendshëm, janë: gjinia, predispozita gjenetike dhe mosha. Ndërkaq, faktorë të jashtëm janë të ndryshëm, duke filluar nga ushqimi joadekuat, përdorimi i medikamenteve të ndryshme ndikojnë në këtë sëmundje, duhani, rrezatimi jonizues, jeta jo kualitative, mos aktiviteti fizik e kështu me radhë”, tha ai.

Sa i përket terapisë për trajtimin e kësaj sëmundjeje, Kurtishi tha se ndonjëherë kanë mungesë javore të ndonjë prej ilaçeve, mirëpo tani me revidimin e listës së barnave esenciale, presin që kenë komplet pakon, sidomos për sëmundjet malinje të gjirit.

Muaji tetor, në gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për luftimin e kancerit të gjirit. Kurtishi tha se motoja për këtë muaj është “Të luftojmë së bashku dhe ta luftojmë këtë sëmundje”.