Libri i Bardhyl Mahmutit do të prezantohet në Zyrih

Libri i Bardhyl Mahmutit do të prezantohet në Zyrih

Qendra "Gjenocidi në Kosovë - Plagë e hapur", më 20 tetor në Zyrih, prezanton librin më të ri të politologut Bardhyl Mahmuti "Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë". Kurse, përveç prezantimit, aty do të jetë edhe vet autori ku të pranishmit do të kenë mundësi për bashkëbisedim.

Libri ka për synim të ndihmojë në harmonizimin dhe përdorimin e saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të duhur.

Ky libër është botuar në gusht të këtij viti dhe lexuesit shqiptarë do t`i shpërndahet falas.

Ndërkohë, një libër me argumente i autorit është edhe “Mashtrimi i madh“, në versionin shqip dhe anglisht.

Për këtë libër, autori ka thënë se gjatë gjithë kohës që ka punuar rreth librit, ka pasur si preokupim nëse do të përcillet besnikërisht realiteti tragjik që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës nga politika e gjenocidit të shtetit serb.

“Institucionet e shtetit të Kosovës, të cilëve u janë dhënë falas 1500 ekzemplarë në gjuhën angleze për shpërndarje në qarqet diplomatike, vazhdojnë t’i mbajnë librat në depot e tyre. Edhe në këtë rast, falë miqve të mi të diplomacisë së Kosovës si Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Arjan Kashtanjeva e disa të tjerë, dhe deputetëve Bilall Sherifi dhe Elmi Reçica, një kontingjent i caktuar u është shpërndarë diplomatëve të ndryshëm. Kur sheh ofensivën diplomatike të Serbisë nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, fshehjen e librit që zhvesh gjenocidin e Serbisë dhe bojkotimin nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, vërtetë është për të qarë”, ka thënë ai.