Në “xhunglën e skrapit”, varreza e mistershme e avionëve

Në “xhunglën e skrapit”, varreza e mistershme e avionëve

Fshehur në cep të një rruge të populluar në qendër të Bangkokut ndodhet varreza e avionëve. Kryeqyteti i Tajlandës, si një ndër më të vizituarit në botë, ofron pika të panumërta turistike, por kjo është më e habitshmja.

Bari i lartë ka izoluar zonën nga pjesa tjetër e qytetit, ndërsa skrapi i aeroplanëve dhe gomat e dala nga përdorimi janë “rinovuar” me grafitë nga më të ndryshme. Avionët më të mëdhenj, përveç se për të gjeneruar të ardhura, shërbejnë edhe si strehë për disa familje të varfra që jetojnë aty.

Janë të shumtë njerëzit që duan të vizitojnë këtë varrezë, e cila del jashtë hartës së pikave tradicionale turistike. Ajo që e bën edhe më tërheqëse është fakti se askush nuk e di se si kanë mbërritur aty mbetjet e avionëve. Vendasit thonë se toka i përket një biznesmeni pasanik, i cili nuk kishte vend tjetër se ku t’i çonte avionët.

Pak rëndësi ka për familjet e varfra që kanë ndërtuar aty shtëpinë dhe vendin e punës. Ata kërkojnë nga turistët deri në 27 dollarë amerikanë për person, për t’u futur në “xhunglën e skrapit”, me një kusht, të mos prekin asnjë nga hekurishtet sepse në fund të fundit, është shtëpia e tyre.