Poloni: PiS konservatore - kockë e fortë për opozitën

Poloni: PiS konservatore - kockë e fortë për opozitën

Partia qeverisëse nacional-konservatore, PiS arriti sërish një fitore të thellë në Poloni. Marrëdhënia me Bashkimin Europian pritet të mbetet e tensionuar.

Fitorja e thellë e partisë nacional-konservatore, PiS në zgjedhjet parlamentare në Poloni është vënë në fokusin e një analize të gazetës konservatore polake, "Rzeczpospolita". "Kundërshtarët e PiS kanë një kockë të fortë përballë, e pavarësisht nëse je dakord me gjykimin e votuesve apo jo, pjesëmarrja rekord në zgjedhje, tregon, se polakët vendosin ta marrin vetë situatën në dorë [...] por lidershipi i PiS nuk duhet të harrojë, që Polonia është thellësisht e ndarë. 55% e votave u dhanë për partitë, që e kanë kritikuar pamëshirshëm PiS."

Pas numërimit të më shumë se 80% të votave, partia PiS arrin 45,2% të tyre. "Ky rezultat na jep një detyrë të madhe shoqërore, ne kemi fituar besimin", tha Morawiecki para përkrahësve të dielën. "Megjithëse kundër nesh u organizua një front i fuqishëm, ne ia dolëm të fitojmë", theksoi kreu i partisë, Jaroslaw Kaczynski.

Opozita e bashkuar polake, koalicioni qytetar konservator-liberal, KO dhe ish-partia qeverisëse, Platforma Qytetare, PO arritën të merrnin vetëm 26,1% të votave me kandidaten, Malgorzata Kidawa-Blonska. 62 vjeçarja pas zgjedhjeve tha, se ka pasur shumë qytetarë që nuk donin që Polonia të ndahet më dysh. Një fituese e këtyre zgjedhjeve konsiderohet edhe aleanca e majtë, Lewica që u bë forca e tretë në parlament me 12,1% të votave. Kurse partia e fermerëve, PSL, një koalicion konservator arriti 8,8% të votave. Edhe partia populiste e djathtë, Konfederacia e populistit Janusz Korëin-Mikke arriti me 6,7% të votave të futet në parlament.

Marrëdhënia me Europën pritet të mbetet e tensionuar

PiS bëri një fushatë zgjedhore polarizuese, duke sulmuar pakicat seksuale dhe duke kundërshtuar stilin "perëndimor" të jetës. Mbështetjen e gjerë në popullsi kjo parti duket ta ketë arritur me reformat sociale, sidomos atë të sistemit social, dhe premtime të tjera në fushatën elektorale në favor të shtresave më të dobta të shoqërisë.

Por pas fitores së PiS, marrëdhënia e Polonisë me Bashkimin Europian duket se do të mbesë e tensionuar. Që nga ndërrimi i qeverisë në vitin 2015, partia PiS e ka përdorur shumicën parlamentare për të ndryshuar thellësisht Poloninë sipas përfytyrimit të saj. Me reformën e kontestuar në drejtësi, kjo parti filloi edhe një kurs konfrontimi kundër BE. Për shkak të ndërhyrjes në pavarësinë e drejtësisë, kundër Polonisë janë hapur disa procedura ligjore të BE. Edhe në politikën e refugjatëve, Varshava mban një qëndrim refuzues. Ky vend bllokon rregulloren e kuotave për shpërndarjen e refugjatëve në BE.

Edhe marrëdhënia gjermano-polake është ftohur nën udhëheqjen e PiS. Si presidenti Andrzej Duda edhe kreu i qeverisë, Morawiecki kanë kërkuar në muajt e kaluar reparacionet e luftës nga Gjermania si kompensim për shkatërrimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. PiS i futi këto kërkesa në programin e saj zgjedhor./DW