Zaev optimist në caktimin e datës për fillimin e bisedimeve

Zaev optimist në caktimin e datës për fillimin e bisedimeve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është shprehur optimist për marrjen e vendimit pozitiv nga Këshilli Evropian për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin vendit në familjen evropiane.

Ai këto komente i bëri në vigjilje të takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që do të mbahet më 15 tetor dhe ku pritet të merret vendimi për caktimin e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Shtatëmbëdhjetë dhe 18 tetori janë datat përfundimtare. Unë mbetem optimist dhe ne kemi të gjitha argumentet për të marrë datë”, tha sot Zaev.

Ai theksoi se Franca nuk është kundër caktimit të datës për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane, siç u shpreh Zaev, Parisi zyrtar ka qëllim që të krijojë një metodologji të re të zgjerimit të BE-së, duke shtuar se ndryshimi i kësaj metodologjie nuk duhet të jetë pengesë dhe se Brukseli duhet të mbajë premtimin për datën e nisjes së negociatave.

“Nuk dua të mendoj se nuk do të caktohet datë për Maqedoninë e Veriut. Me të vërtetë jemi shembull për tërë rajonin. BE-ja nuk guxon të lejojë ta dënojë më të mirin në kontinentin evropian sepse kjo është me rëndësi për BE-në, për rajonin, për motivimin e ardhshëm të liderëve të cilët duhet të gjejnë zgjidhje dhe t’i reformojnë shoqëritë e tyre. Mendoj se jemi në drejtim të vërtetë dhe se me vendimet e BE-së do të konfirmohen pritjet tona”, u shpreh kryeministri Zaev.

Shefi i ekzekutivit maqedonas tha se nuk e sheh si pengesë për caktimin e datës së nisjes së bisedimeve, mosmiratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike. Ky ligj në të kaluarën është përmendur si kriter për Shkupin.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike thonë se dështimi eventual i Maqedonisë së Veriut për të marrë datën e nisjes së bisedimeve me BE-në, do të demotivonte institucionet që të vazhdojnë me kryerjen e reformave dhe përmbushjen e kritereve që parashihen për anëtarësim në bllokun evropian.

“Nëse Brukseli kërkon që të ketë një siguri në Ballkan dhe nëse zgjerimi do ta nënkuptonte këtë, atëherë mendoj se Franca por edhe vendet e tjera të cilat kanë një dozë skepticizmi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të miratojnë caktimin e datës për fillimin e negociatave dhe me këtë do të japin një shpresë për gjitha vendet e rajonit se e ardhmja e këtyre vendeve është në strukturat e BE-së. Nuk mund të ketë reforma në Ballkanin Perëndimor pa këtë perspektivë evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.

Ai njëherësh shton se Brukseli do ta ketë të vështirë të marrë vendim negativ kundrejt argumenteve që ka Maqedonia e Veriut.

“Mungesa e datës për Maqedoninë e Veriut, e cila ndryshoi emrin e shtetit, nënshkroi marrëveshjen me Bullgarinë, që nënkupton dhe rikonfigurimin e identiteti pasi që shkëputet nga një pjesë e historisë, bëri reforma po ashtu në drejtësi, reforma në sektorin e inteligjencës, e kështu me radhë dhe pas këtyre përgjigja eventuale negative do të nënkuptonte një mospërmbajtje të kontratës që Maqedonia e Veriut e ka të lidhur me Bashkimin Evropian”, thotë Neziri.

Ndërkohë partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE është shumë skeptike sa i përket vendimit pozitiv të Këshillit Evropian.

Sipas liderit të VMRO-së, Hristijan Mickovski data do të jetë e kushtëzuar ose vendit nuk do t’i caktohet fare data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian./REL