Blok: Maqedonia e Veriut e gatshme për fillimin e negociatave

Blok: Maqedonia e Veriut e gatshme për fillimin e negociatave

Ministri i Punëve të Jashtme i Holandës, Stef Bllok sot e përsëriti qëndrimin e vendit të tij se Maqedonia e Veriut është më e gatshme se Shqipëria për fillimin e negociatave me BE-në.

Para fillimit të Këshillit të ministrave të BE-së në Luksemburg në të cilin do të debatohet për fillimin e negociatave inkuadruese me Shkupin dhe Tiranën, Bllok deklaroi se pozita e Holandës është se çdo vend duhet të vlerësohet sipas plotësimit të kritereve.

“Të dyja vendet u angazhuan fortë. Lidhur me Maqedoninë e Veriut mendojmë se duhet të ndërmerret edhe një hap i rëndësishëm, ndërsa ai është Ligji për prokurorinë publike. Nëse ky kusht plotësohet mendojmë se negociatat inkuadruese duhet të fillojnë. Lidhur me Shqipërinë, mendojmë se duhet të kryhet edhe shumë punë dhe se akoma nuk është e gatshme për fillimin e negociatave”, tha Bllok.

I pyetur nëse Ligji për prokurorinë publike është kusht për fillimin e negociatave, Bllok nuk dha përgjigje të saktë. Tha se për çdo rast një ligj i tillë duhet implementuar, pasi qeverisja e së drejtës është kriter kyç për inkuadrimin në BE.

Në pyetjen nëse do të jepet sinjal i keq për rajonin nëse nuk miratohet fillimi i negociatave dhe nëse kjo do të thotë se BE i ndryshon kriteret për anëtarësim, Bllok tha se aspak nuk ka ndryshim të kritereve.

“Sinjali kryesor që përcillet është se sapo vendi kandidat i plotëson kriteret të cilat janë të njohura, negociatat inkuadruese mund të fillojnë. Nuk ka asgjë të keqe këtu. Kjo është e drejtë dhe korrekte,” deklaroi shefi i diplomacisë holandeze.