Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj shefit të Urbanizmit në Novobërdë

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj shefit të Urbanizmit në Novobërdë

Ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, Selatin Beqiri, i akuzuar për keqpërdorim detyre.

Në këtë rast, për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose i shenjave, akuzohet edhe Osman Ramadani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si shkak i dështimit të kësaj seance kryesore, ishte mungesa e prokurorit Isuf Sadiku.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri ka konstatuar se prokurori Sadiku paraprakisht kishte njoftuar gjykatën se është i zënë me një seancë tjetër dëgjimore, ku sipas tij, këtë seancë ai e kishte caktuar para se të pranonte ftesën për seancën e së martës, duke e konsideruar atë shumë të rëndësishme.

Gjykatësi Haziri, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 6 dhjetor 2019, me fillim në ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani, duke i ngarkuar ata me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përkatësisht veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdë, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës dhe disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi, dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit 2019, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të merr aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi