Mungesa e të akuzuarës shtyn gjykimin për përvetësim në detyrë

Mungesa e të akuzuarës shtyn gjykimin për përvetësim në detyrë

Për shkak të mungesës së ish-kontabilistes në kompaninë “Alma”, Natyra Reka, e akuzuar për përvetësim në detyrë, është pamundësuar që të mbahet gjykimi ndaj saj, i paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, pas hapjes së shqyrtimit, ka deklaruar se të gjitha palët janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe se nuk ka paralajmërim se dikush do të mungojë, por më pas ka vërejtur se nuk është e pranishme e akuzuara Reka, për të cilën e ka pyetur mbrojtësin e saj, avokatin Mentor Neziri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Neziri ka deklaruar se 10 apo 15 minuta para se të fillojë seanca, bashkëshorti i të akuzuarës e ka njoftuar atë se ajo e djali i saj janë të sëmurë, duke i prezantuar gjykatës dokumentacionin mjekësor, ku thuhej se ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare më 14 tetor edhe për vete edhe për fëmijën e saj.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se nga këto dokumente të prezantuara nuk mund të arsyetohet mungesa e të akuzuarës, sepse sipas tij, në raportet e prezantuara askund nuk shkruan se ajo nuk është në gjendje që të përballojë shqyrtimin gjyqësor, përkatësisht që të prezantojë në seancë.

“Prandaj, gjykata konstaton se justifikimi i prezantuar mbi bazën e këtij dokumentacioni nga mbrojtësi i të akuzuarës është i paqëndrueshëm dhe i orientuar në zvarritje të procedurës penale”, ka deklaruar gjykatësi Ibrahimi.

Më pas, ai ka pyetur prokurorin Shkëlzen Ibrahimi se a ka ndonjë propozim lidhur me sigurimin e pranisë të të akuzuarës në shqyrtim gjyqësor.

Prokuror Ibrahimi ka thënë se prezenca e saj të sigurohet përmes dhunës apo zyrtarëve policorë.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi ka deklaruar se e akuzuara ka luajtur me kartën e fundit që të mos jetë në këtë shqyrtim që është dashur të përfundojë sot dhe sipas tij, këtë e din mirë edhe mbrojtësi i saj.

“Gjykata nuk cakton paraburgim kur prokurori i shtetit nuk propozon. Shtyhet në kohë të pacaktuar dhe arsyeja është agjenda e trupit gjykues. Sot do të duhej të njëjtës t’i caktohej paraburgim për 30 ditë dhe ta sjellim kurdo që duhet”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi.

“Konform nenit 307 të lëshojmë urdhërarrest”, ka thënë prokurori Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi ka deklaruar se për më shumë se një vit kanë bërë përpjekje ta përfundojnë këtë çështje.

Sipas tij, është luajtur me kartën maksimale të zvarritjes dhe kjo është një lojë e një keqpërdorim total i drejtësisë dhe pjesë e kësaj është edhe mbrojtësi i të akuzuarës.

“10 minuta para seancës më vjen dokumentacion se nuk ka me ardh sot në seancë”, ka thënë ai.

Prokurori Ibrahimi më pas ka shtuar se pasi që i është përmendur emri, ata munden edhe sot pas dreke të vazhdojnë këtë seancë dhe se e akuzuara mund të sigurohet përmes zyrtarëve policorë.

Por, eksperti financiar Riza Blakaj që ishte prezent e ka lajmëruar gjykatën se nga ora 13:20 ka për obligim të paraqitet për një termin shëndetësor.

E më pas kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se në rrethanat e krijuara kur eksperti financiar nuk do të ketë mundësi të prezantojë në orët e pasdites, por edhe për shkak se kërkohet lëshimi i urdhëresës në procedurë urgjente, caktimi i vazhdimit të seancës për të njëjtën ditë është e pamundur.

“Kjo urdhëresë do të lëshohej dje po ta merrja këtë dokumentacion dje, po se kanë sjell se e kanë ditë që so kurrgjë ky dokumentacion. S’jam mjek, po nuk shoh as vërejtje, as konstatim se e akuzuara s’mund të marr pjesë në shqyrtim gjyqësor. Kemi të bëjmë me një lojë të pastër me drejtësinë”, ka deklaruar ai.

Të pranishëm në gjykatë ishin edhe eksperti i grafologjisë Feriz Selimaj, si dhe avokati i palës së dëmtuar, Ali Beka.

Ndryshe, më 13 maj 2019, ishte paraparë shpallja e aktgjykimit në këtë rast, mirëpo trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ibrahimi kishte rihapur gjykimin me qëllim të vërtetimit të dëmit të shkaktuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë më 25 maj 2016 ndaj Natyra Reka me pretendimin se e njëjta kishte kryer veprën penale “përvetësim në detyrë”.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Reka në cilësinë e kontabilistes në kompaninë “Alma”, sh.p.k, si person zyrtar pretendohet se kishte përvetësuar pasurinë, e cila i ishte besuar si kontabiliste.

Sipas aktakuzës, Reka gjatë periudhës kohore nga 26 maji i vitit 2011, e deri më 3 tetor 2012 nuk e kishte dorëzuar rregullisht pazarin ditor në llogarinë rrjedhëse të “Alma” sh.p.k., me ç ‘rast asaj i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 10.360,00 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi