Sërish dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-analistit në KRK

Sërish dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-analistit në KRK

Për shkak të mungesës së prokurores Dulina Hamiti, për herë të dytë rresht, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-analistit në Kreditimin Rural të Kosovës (KRK), Ilir Imeri, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sikurse në seancën e 6 shtatorit të këtij viti edhe të martën, shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë pushimi vjetor i prokurores Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, deklaroi se gjykata ka pranuar një parashtresë nga prokurorja Hamiti, më 10 tetor 2019, e cila ka njoftuar gjykatën se ajo gjendet në pushim vjetor nga 11 tetori 2019, e deri në një afat të pacaktuar.

Kuka-Mekaj, i njoftoi të akuzuarin Imeri dhe mbrojtësin e tij, avokatin Destan Rrukiqi, si dhe përfaqësuesin e palës së dëmtuar, avokatin Labinot Murati, që seancat e radhës parashihen të mbahen më 26 dhe 29 nëntor, në ora 13:30, me të cilat seanca synohet edhe do të përfundohet ky proces gjyqësor.

Ndryshe, të martën në sallën e gjykimit ishte prezente edhe dëshmitarja Zyrafete Tasholli, ndërsa mungoi dëshmitari Agron Gashi.

Edhe seanca që ishte paraparë të mbahej më 6 shtator të vitit 2019, kishte dështuar për shkak të mungesës së prokurores Dulina Hamiti, që sipas kryetarja së trupit gjykues, Nushe Kuka – Mekaj, prokurorja Hamiti e kishte njoftuar gjykatën që nuk mund të prezantojë në atë seancë, pasi që gjendet në pushim vjetor.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 26 qershor 2018, i akuzuari Ilir Imeri në cilësinë e personit zyrtar si analist kreditor në degën e Prishtinës, në institucionin mikro- financiar, Kreditimi Rural i Kosovës, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Akti akuzues thotë se i njëjti duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji qershor 2016, deri në muajin tetor të po atij viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtar.

Sipas aktakuzës, këtë e ka bërë duke iu shmangur procedurave ka nxjerrë jashtë zyrës dokumente zyrtare jo publike si marrëveshje e kolateralit- hipotekare dhe dokumente tjera dhe duke lejuar që kjo marrëveshje të dal jashtë zyrave dhe të nënshkruhet nga vet palët kredimarrëse apo të tjerët.

Në këtë mënyrë, thuhet se i është mundësuar marrja e kredisë personave Zyrafete Tasholli, Dren Fushtica, Agon Gashi, Hamit Beka dhe Lorik Avdiu në shumë totale prej 13.700 euro, me të cilën shumë i ka shkaktuar dëm KRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi