Ranieri prezantohet tek Sampdoria

Ranieri prezantohet tek Sampdoria

Pas 7 javësh kampionat, Sampdoria vendosi të shkarkojë trajnerin Eusebio Di Francesco për mungesë rezultatesh (një fitore dhe 6 humbje), ndërsa në vend të tij u emërua ish trajneri i Romës, Claudio Ranieri.

Ky i fundit bëri sot prezantimin zyrtar me klubin e ri, ndërsa në fundjavë do të bëjë edhe debutimin pikërisht në ndeshjen ndaj klubit të tij të zemrës, Romës, të cilën e drejtoi deri në fund të sezonit që lamë pas.

“Jam shumë i lumtur që më thirrën te Sampdoria, një klub e që kam simpatizuar gjithmonë. Në fundjavë luajmë kundër Romës, skuadrës time të zemrës, pro në fushën e lojës vlen vetëm profesionalizmi”, tha Ranieri.

I pyetur mbi objektivin e skuadrës, tekniku italian tha se do të tentohet shpëtimi, ndërsa nuk ngurroi të komentojë edhe skemën që do të përdorë, por edhe formën e sulmuesit kryesor të ekipit, Fabio Quagliarella.

“Do të tentojmë shpëtimin dhe në fushë do të luajnë ata që kanë më shumë dëshirë t’ia dalin. Unë e pranoj humbjen, por jo pa djersitur në fushën e lojës. Sa i përket skemës, kam përdorur shumë të tilla në karrierën time, pasi unë e ndërtoj skuadrën në bazë të cilësive që kanë futbollistët. Quagliarella është bomberi ynë dhe duhet të ndihmoj të kalojë momentin e vështirë të këtij sezoni, pasi ai duhet të jetë një pikë referimi për të gjithë në skuadër”, deklaroi ndër të tjera Claudio Ranieri.