Rritja më e madhe e pensioneve në Angli që prej 2012-ës

Rritja më e madhe e pensioneve në Angli që prej 2012-ës

Nga prilli i vitit 2020, pensionistët britanikë do t’i shohin të ardhurat që marrin nga shteti të rriten me 4 %. Kjo do të thotë se pagesa e tyre do të shkojë nga 168,60 paund në një javë që është aktualisht, në 175.35 paund.

Nga ana tjetër, janë miliona përfitues nën moshën 65 vjeç, të cilët nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëhet me ta në këtë rast, pasi kryeministri Boris Johnson nuk e ka konfirmuar nëse rritjen e përfiton edhe kjo kategori. Edhe personat që jetojnë apo kanë punuar jashtë kufijve, gjithmonë sipas raporteve në shtypin vendas, mund të jenë në gjendje të përfitojnë nga pensioni i ri shtetëror.

Daily Express thotë se në raste të tilla, përfitimi i rritjes vjetore varet nga vendi në të cilin personi jeton. Të interesuarit mund t’i shohin detajet në faqen online të qeverisë, ose të plotësojnë një formular e ta dërgojnë me poste. Për të siguruar një pension të plotë në Mbretërinë e Bashkuar, një individi i nevojiten 35 vite kontributesh të paguara kompanisë kombëtare të sigurimeve shoqërore.