Mungojnë tre të akuzuarit, dështon të nis gjykimi për trafikim me njerëz

Mungojnë tre të akuzuarit, dështon të nis gjykimi për trafikim me njerëz

Në mungesë të të akuzuarve për veprën penale “trafikim me njerëz”, Agim Thaqi, Hazir Jashari dhe Nazlije Sadiku, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Tre të akuzuarit po dyshohet se duke e shfrytëzuar gjendjen ekonomike dhe sociale të të dëmtuarës D.B dhe duke e kërcënuar atë e kishin detyruar të kryejë marrëdhënies seksuale me persona të ndryshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, tha se i kishin kontaktuar përmes telefonit dy të akuzuarit Thaqi dhe Jashari, të cilët e kishin njoftuar gjykatën se e kishin ngatërruar datën e seancës.

Ndërkaq, për të akuzuarën Sadiku, e cila nuk ishte paraqitur as në seancën e 8 tetorit, gjykatësi Shala tha se ende nuk kishte pranuar njoftimin nga Stacioni Policor për verifikimin e adresës së saj.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 15 nëntor 2019, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 3 prill 2013, të akuzuarit Agim Thaqi, Nazlije Sadiku dhe Hazir Jashari prej 25-30 qershor 2009, në bashkëkryerje kishin trafikuar të dëmtuarën D.B.

Në aktakuzën thuhet se të akuzuarit Thaqi dhe Sadiku fillimisht e kishin pranuar të dëmtuarën D.B në lokalin e tyre “Gryka”, në Lipjan si kliente, e më pas duke e shfrytëzuar gjendjen e saj ekonomike dhe sociale, e kishin kërcënuar duke i thënë “nëse nuk pranon me krye marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm ti nuk guxon me dal në Lipjan”.

Thaqi dhe Sadiku, sipas prokurorisë, kishin bërë marrëveshje me klientë të ndryshëm, duke ia prezantuar si persona të kombësisë turke dhe duke e detyruar të dëmtuarën të kryejë marrëdhënie seksuale me ta.

Kështu, i akuzuari Jashari, sipas aktakuzës, duke iu prezantuar asaj si person i kombësisë turke, e kishte marrë atë dhe e kishte dërguar në motel “Bossi”, në Ferizaj dhe më pas të nesërmen i akuzuari Thaqi kishte shkuar me veturën e tij dhe e kishte marrë të dëmtuarën D.B e më pas e kishte dërguar në lokalin “Gryka”, ku e dëmtuara me 30 qershor 2009, kishte arritur të largohet nga ai lokal.

Prokuroria të akuzuarit Thaqi, Sadiku dhe Jashari po i ngarkon me veprën penale “trafikimi me njerëz”, e cila vepër penale sipas nenit 139 paragrafit 1 lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal është e dënueshme me burgim prej 2 deri në 12 vjet. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi