Digjitalizohet e gjithë arkiva diplomatike shqiptare

Digjitalizohet e gjithë arkiva diplomatike shqiptare

Pasuria arkivore e MEPJ-së do të digjitalizohet falë projektit YPSILON të mbështetur nga AADF.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me ish-ndihmës sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro Azisë në administratën e presidentit Obama, Victoria Nuland, dhe Michael Granoff, kryetar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kreu i diplomacisë shqiptare në takim shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj SHBA-së në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme dhe rolin thelbësor të këtij vendi për ta shndërruar Ballkanin në një zonë bashkëpunimi dhe zhvillimi.

Gjithashtu u diskutua rreth Partneritetit Strategjik SHBA – Shqipëri, një nga gurthemelet e politikës së jashtme të Shqipërisë.

Ndër të tjera, Cakaj evidentoi mbështetjen e pakursyer të AADF përmes projektit YPSILON.

“Kemi jetësuar projektin YPSILON përmes të cilit do të digjitalizohet gjithë dokumentacioni historik e arkiva e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Digjitalizimi i pasurive arkivore të MEPJ-së do lehtësojë qasjen e shtojë vetëdijen për historinë e diplomacisë shqiptare në përgjithësi,” u shpreh Cakaj./atsh