Mick Schumacher: Jam gati të debutoj në Formula 1

Mick Schumacher: Jam gati të debutoj në Formula 1

20-vjeçari Mick Schumacher është djali i shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, legjendarit Michael Schumacher.

Në një intervistë për “Auto Week”, piloti i ri gjerman u shpreh se është gati të debutojë në Formula 1. Aktualisht Mick garon me makinën Prema në Formula 2, ndërkohë që është edhe pjesë e Akademisë Ferrari.

“Të garoj në Formula 1 ka qenë gjithnjë ëndrra ime dhe kjo është ajo që dua të bëj në të ardhmen. Ndihem gati, ashtu sikurse të gjithë pilotët e tjerë, që ashtu si unë garojnë në Formula 2. Pjesëmarrja në këtë kategori të ndihmon shumë, të mëson se si t’i menaxhosh gomat e mjaft gjëra të tjera”, u shpreh Schumacheri.

Gjithsesi, piloti i ri gjerman shprehet se ka një kusht të rëndësishëm për t’u ngjitur në kategorinë më të lartë të automobilizmit: “Nëse do të vijë rasti i duhur do ta pranoj me vrap. Më mirë preferoj të garoj edhe një vit tjetër në Formula 2 sesa të jem pilot rezervë në ndonjë skuadër të Formulës 1. Dua të garoj dhe mësoj, jo të shoh”, ka shtuar Mick Schumacheri.