Dy klubet e mëdha italiane e kërkojnë Kumbullën

Dy klubet e mëdha italiane e kërkojnë Kumbullën

Niveli i lojës së Marash Kumbulla-s nga java në javë po njeh rritje, teksa në sfidën e fundit në kampionat ai u shfaq edhe si protagonist duke gjetur rrugën e rrjetës, që ishte dhe goli i parë në Serinë A, me fanellën e Veronës, ndërsa theu dhe një rekord historik në kampionatin e vendit fqinj, duke u bërë lojtarë i parë i datëlindjes 2000 që shënon gol këtë sezon.

Marash Kumbulla debutoi dhe me kombëtaren kuqezi në sfidën kundër Moldavisë. Niveli i tij sa vjen e rritet dhe një gjë e tillë ka bërë që në skenë të shfaqen dhe skuadrat e para që kërkojnë të transferojnë 19-vjeçarin.

Kumbulla ofron garanci të mëdha në repartin e prapavijës, teksa sipas “Gazzetta dello Sport” Fiorentina po bën gati planin e saj për të transferuar mbrojtësin kuqezi, transmeton KJ.

Ekipi tjetër që ka shfaqur interes është Napoli, me të kaltrit që janë plotësisht të bindur rreth aftësive të lojtarit dhe shumë shpejt sipas asaj që raportojnë mediat italiane palët do të tentojnë të nisin tratativat.