Mehmeti dhe Zhang flasin për zhvillimet në sektorin financiar

Mehmeti dhe Zhang flasin për zhvillimet në sektorin financiar

Në kuadër të takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahen në Uashington, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të FMN-së, Tao Zhang me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria dhe zhvillimet në sektorin financiar.

Guvernatori Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe BQK-së në veçanti, si dhe njëkohësisht ka falënderuar  Zhang për gatishmërinë e FMN-së që të kontribuojë në konferencën e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së që do mbahet në nëntor të këtij viti.

Mehmeti gjithashtu është takuar me drejtorin e departamentit evropian të FMN-së, Poul Thomsen, me të cilin kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike, zhvillimet në sistemin financiar, si dhe sfidat dhe objektivat strategjike dhe zhvillimore, përfshirë edhe bashkëpunimin e Kosovës me FMN-në.

“Po ashtu guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takim edhe me drejtorin e Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya. Gjithashtu është zhvilluar takim me Paul Methieu nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të FMN-së ku temë diskutimi ka qenë vlerësimi i FMN-së në kuadër të programit: “Shqyrtimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar” (anglisht: Financial System Stability Review-FSSR) dhe rrjedhimisht ofrimi i Asistencës Teknike për BQK-në, përderisa në takimin me përfaqësuesin e Bankës Botërore, Mario Guadamillas janë diskutuar asistencat teknike për Sistemin e Pagesave dhe Hendekut Financiar, si dhe projekte të tjera zhvillimore të BQK-së”, thuhet në njoftim.