Fergusoni akuzohet për kurdisje të ndeshjes në Champions

Fergusoni akuzohet për kurdisje të ndeshjes në Champions

Ish-trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, akuzohet se e kishte kurdisur rezultatin e një ndeshjeje të “Djajve të kuq”, në kuadër të Ligës së Kampionëve, me një agjent futbolli, që ia kishte dhuruar skocezit një orë të shtrenjtë, me vlerë 30 mijë stërlina.

Ky pretendim u zbulua të enjten në gjykatë, aty ku po gjykohet për ryshfet agjenti “i korruptuar”, Giuseppe Pagliara. Ky i fundit, 64 vjeç, e paraqiti ankesën me një bisedë të regjistruar në fshehtësi nga një reporter i panjohur.

Agjenti, gjithashtu, thotë se Ferguson ka punuar me agjentë lojtarësh për të fituar para nga marrëveshjet e transferimeve. 

Pagliara është në gjyq për ryshfet, së bashku me agjentët e tjerë, Dax Price dhe Tommy Wright, ish-ndihmësin e trajnerit kryesor të Barnsley FC.

Prokurori Brian O’Neill e hapi gjyqin të enjten, duke thënë se zotërinjtë në fjalë kishin dalë në hetimin e gjerë për korrupsionin në futboll, i cili përfshinte edhe ish-trajnerin e Anglisë, Sam Allardyce.

Prokurori O’Neill, i pyetur nga “Mirror” se si doli emri i Fergusonit, sqaroi:

“Në përfundimit të takimit me reporterin e panjohur, Pagliara filloi të fliste për atë që mund të quhet edhe si kritikë ndaj Sir Alex Ferguson, duke e akuzuar atë se kishte bashkëpunuar me të për të fiksuar rezultatin e një ndeshjeje futbolli me Juventusin në Champions, një klub me të cilin ai ishte i lidhur. Agjenti italian e kishte shpërblyer atë me një orë të shtrenjtë “Rolex”, me vlerë 30.000 stërlina. Pagliara vazhdoi ta akuzonte Sir Alex Ferguson se kishte marrë para edhe për marrëveshjet e transferimve të futbollistëve. Ai pretendoi se e kishte paguar Fergusonin edhe më parë.” /Telesport/