​Një muaj paraburgim për policin e arrestuar në veri Rade Basara

​Një muaj paraburgim për policin e arrestuar në veri Rade Basara

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit , Rade Basara, polic i arrestuar në veri.

Ai akuzohet për shkak të veprave penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata thotë se ka marrë aktvendim dhe të pandehurit R.B i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kushti kryesor për caktimin e paraburgimit, po ashtu është plotësuar kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.2 pika 1.2.1. të KPRK-së, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale. Gjithashtu janë përmbushur edhe kriteret nga pika 1.2.2 të nenit 187 par.1 ngase bazuar në rrethanat konkrete të rastit ka arsye për të besuar se i pandehuri R.B  po të gjendet në liri do të asgjësoj, fshehë apo ndryshojë ose falsifikoj provat e veprës penale, kjo ngase rrethanat e posaçme tregojnë se i pandehuri do të pengojnë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.


MË SHUME NGA Aktuale