Konjufca: Nuk ka kushte nga asnjëra palë, nuk folëm për ministri

Konjufca: Nuk ka kushte nga asnjëra palë, nuk folëm për ministri

Për gati dy orë ka zgjatur takimi i parë i grupit punues të Vetëvendosjes dhe LDK-së lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ku të dyja grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Pas takimit i vetmi që u deklarua ishte Glauk Konjufca nga LVV, i cili  tha se kanë folur për temat të cilat e presin vendin dhe reformat e thella sektoriale.

Ai ka mohuar se është diskutuar për ndarje të ministrive, ndërsa ka mohuar gjithashtu edhe zërat se këto dy parti kanë kushte ndaj njëra tjetrës.

Ai deklaroi se nuk kanë kushte për LDK, e sipas tij as LDK nuk ka kushte për ta për qeverisjen e ardhshme.

 

I pyetur se nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun a do t'i ftojnë për koalicion, ai tha se për këtë temë nuk kanë folur.

Grupi punues i Vetëvendosjes përbëhej nga Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, ndërsa ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës përbëhej nga Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku.

Një takim i radhës i grupeve punuese të të dyja partive do të mbahet të mërkurën nga ora 15.


MË SHUME NGA Aktuale