Balla: Shqipëria i përmbushi kriteret, për keqardhje vendimi nga KE

Balla: Shqipëria i përmbushi kriteret, për keqardhje vendimi nga KE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se “në të gjithë Shqipërinë ka një keqardhje nga mungesa e një vendimi nga ana e Këshillit Evropian, por ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë që arsyet e refuzimit nuk lidhen me diçka që Shqipëria nuk ka arritur ta bëjë”.

Në fjalën e tij në prezantimin e projektit të qeverisë gjermane në Cërrik, Balla tha se “Bashkimi Evropian në strukturën e vet përbëhet nga tre institucione bazë, Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni. Komisioni Evropian rekomandoi në qershor të këtij viti që Shqipërisë t’i hapen bisedimet për anëtarësim, bazuar në një analizë faktike dhe shumë të detajuar lidhur me atë që Shqipëria ka realizuar në 5 prioritetet bazë, ndër të cilat padyshim guri i themelit mbetet Reforma në Drejtësi”.

“Po kështu edhe Parlamenti Evropian, 11 muaj më parë miratoi një rezolutë që vlerëson se Shqipëria i ka përmbushur kriteret. Tani po brenda BE-së, Këshilli nuk bie dakord, ose thënë qartë, refuzon vendimin e institucioneve të veta. Mendoj që kjo më shumë është një çështje e kredibilitetit të vetë BE-së sesa e procesit që lidhet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Maqedonisë së Veriut ju desh të bënte diçka, që rrallë popuj e bëjnë, siç është të pranosh të ndryshosh emrin për të hyrë në BE”, – nënvizoi Balla.

Balla u shpreh se “Shqipëria ndërkohë ka ndryshuar Kushtetutën për të ndryshuar tërësisht sistemin e drejtësisë në vend, për të pastruar këtë sistem nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Madje, jemi i vetmi vend në Europë që kemi pranuar të fusin në Kushtetutë parashikimet për një operacion ndërkombëtar monitorimi, i cili të verifikojë gjithë këtë proces të implementimit të Reformës në Drejtësi. Këto janë reforma që ne i kemi bërë me bindjen që edhe BE do t’i qëndrojë, le të themi, angazhimit të vet”.