I dyti vit që për punonjësit e KEK-ut s`ka thëngjill falas,reagon sindikata

I dyti vit që për punonjësit e KEK-ut s`ka thëngjill falas,reagon sindikata

Sindikata e Re e Punëtorëve të KEK-ut, ka reaguar për ndalimin e dhurimit të thëngjillit falas për punonjësit e KEK-ut, për të dytin vit me radhë. Nexhat Llumnica, udhëheqës i kësaj sindikate, tha se vendimi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik është diskriminues, pasi që thëngjilli vazhdon të shitet nga Kompania “Kosova Thëngjill”. Por, drejtori i kësaj të fundit, Ernest Hasani, tha se thëngjilli që shitet nga kjo kompani është i tharë dhe i plotëson standardet e kërkuara.

Punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) as gjatë vitit 2019 nuk do të pranojnë thëngjill falas nga kjo korporatë, siç ishte vepruar çdoherë në shenjë shpërblimi për punën e tyre.

Arsye për këtë vendim ishte niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

Por, Sindikata e Re e Punonjësve të KEK-ut, këtë vendim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e ka quajtur diskriminues.

Nexhat Llumnica, udhëheqës i Sindikatës, tha për Radio Kosovën se derisa Kompania “Kosova Thëngjill” vazhdon të shesë thëngjillin si lëndë për djegie, është diskriminues ndalimi i kësaj lënde për vetë punonjësit që merren me këtë lëndë.

“Në momentin që “Kosova Thëngjill”e shet thëngjillin pa dallim, nuk është e drejtë që edhe për punëtorët e KEK-ut të ndalohet, por ministri Lluka e ka nxjerr një vendim të tillë, megjithatë
menaxhmenti e ka respektuar këtë vendim dhe as vitin e kaluar e as sivjet nuk është shpërndarë thëngjill, tha ai”.

Llumnica tha se Sindikata ka kërkuar të ndryshohet vendimi në fjalë, por nuk është marrë parasysh.

Ndërsa, drejtori i “Kosova Thëngjill”, Ernest Hasani, tha se kompania që ai e drejton e furnizon me thëngjill “Ferronikelin”, pjesën më të madhe e eksporton për Serbi.

Megjithatë, Hasani shtoi se thëngjilli që shitet nga “Kosova Thëngjill” është i përpunuar.

“Ne kryesisht e përpunojmë thëngjillin dhe thëngjill të terur e shesim, thëngjilli i tharë nuk është i ndaluar me ligj”, tha Hasani.

Ndërsa, Besnik Shabiu, nga Organizata “Lets do it Kosova”, tha se vendimi për këtë çështje fillimisht është mirëpritur, por shtoi se duke e pasur parasysh gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës, ky vendim konsiderohet si rëndim për ta.

“Vendimi i MMPH-së për ndalimin e thëngjillit në hapësirat publike ka qenë vendim që është mirëpritur, megjithatë arsyeja pse problemi vazhdon të jetë, duke u shitur në forma ilegale, ku kam qenë vetë dëshmitar që shitet thëngjilli, kjo është shqetësuese. Por, duke e parë gjendjen reale ekonomike në vend, edhe pse vendimi është marrë për të ndaluar ndotjen e ajrit, nuk është ai komoditet që të ndalohet shitja e thëngjillit. Është deshtë të bëhet paraprakisht një studim se cila është alternativa tjetër, çka munden qytetarët dhe institucionet të përdorin për djegie”, tha ai.

Shabiu ka thënë se megjithatë cilësia e ajrit nuk do të jetë më e mirë pasi sipas tij, shkaktari i dytë i ndotjes janë makinat.

Ish ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte marrë vendim vitin e kaluar që t’u ndalet së dhuruari thëngjill rreth 5 mijë punëtorëve të KEK-ut, siç ishte vepruar çdo herë nga kjo korporatë si shenjë shpërblimi për punën e tyre gjatë gjithë vitit kalendarik.

Arsyetimi i vendimit ishte se nga 10 tonë për 5 mijë punëtorë ndikon negativisht në ajrin që thithet çdo ditë, pasi, sipas tij, thëngjilli i djegur në shtëpi, nuk është i trajtuar siç duhet dhe nuk përdorët asnjë filtër gjatë ngrohjes.

Autor: Drita Vitia