Conte dhe Merkel nuk arritën ta bindin Macronin për Shqipërinë e Maqedoninë

Conte dhe Merkel nuk arritën ta bindin Macronin për Shqipërinë e Maqedoninë

Presidenti francez, Emmanuel Macron është kritikuar ashpër nga kryeministri italian, Giuseppe Conte, pasi nuk lejoi hapjen e negociatave të unionit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan sot Emily Prescott e gazetës së njohur britanike.

Lideri italian vizitoi këtë javë kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, dhe deklaroi se ishte entuziast për hyrjen në bllokun e 28 vendeve.

Megjithatë, presidenti francez, Emmanuel Macron, bllokoi këtë veprim duke pretenduar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të lejohen pasi procesi i zgjerimit të BE-së ka nevojë për një rishikim.

Duke kundërshtuar vendimin e Macron, kryeministri Conte deklaroi se “ata kanë pritur shumë kohë për të hyrë në Europë. Synimi i tyre është të hyjnë në Europë. Më vjen keq. Më vjen shumë keq. E provova. Ne donim mendje të hapura, jo marrjen e një vendimi. Ata kanë bërë përpjekje të mëdha. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre”.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dëshirojnë të fillojnë negociatat me bllokun, pasi kanë qenë vende kandidate përkatësisht që nga viti 2005 dhe 2014.

Liderët e BE-së janë shprehur prej kohësh se nëse ish-republika jugosllave ndryshon emrin për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje të gjatë me Greqinë, kërkesa e saj për anëtarësim mund të shkonte përpara.

Danimarka dhe Holanda i janë bashkuar Macron-it në shqetësimet e tij për hyrjen e Shqipërisë në union.

Duke iu referuar kësaj, kancelarja e Austrisë, Brigitte Bierlein deklaroi se “është për të ardhur keq. Unë dhe shumë shtete të tjera kemi punuar shumë për fillimin e bisedimeve të pranimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur plotësisht kërkesat e BE-së dhe për këtë arsye duhet të pretendonin për hapjen e bisedimeve te anëtarësimit. Kjo gjë dështoi për shkak të disa shteteve. Kam biseduar tashmë me të dy kryeministrat e të dy shteteve duke iu shprehur se jam e zhgënjyer dhe kam marrë reagime se ata janë gjithashtu shumë të zhgënjyer si dhe i sigurova ata që ne vazhdojmë t’i mbështesim”.

”Për solidaritetin e BE-së dhe sigurinë në rajon, kjo nuk është shenjë e mirë dhe për fillimin e bisedimeve të pranimit është folur që prej qershorit të vitit 2018. Tashmë ka kaluar kohë e gjatë dhe siç përmenda, Maqedonia e Veriut ka zgjidhur luftën për emrin dhe ka krijuar një kushtetutë të re. Shqipëria ka përmbushur gjithashtu shumë prej kërkesave dhe është koha të fillojmë negociatat e pranimit, tha Bierlein.