PD: Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira, Evropa do të na pranojë

PD: Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira, Evropa do të na pranojë

Në një dalje për mediet, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Arben Kashahu u shpreh se “Edi Rama vuri sërish interesin e pasurisë dhe pushtetit të tij personal përpara interesit të shqiptarëve dhe fatit evropian të Shqipërisë. Ai ka vënë në lëvizje mekanizimin e propagandës për të fajësuar Bashkimin Evropian, duke mos i njohur vetes asnjë përgjegjësi pse Shqipërisë nuk iu hapën sërish negociatat”.

Sipas Kashahut “faji nuk është i Evropës! Pengesa kryesore për mos hapjen e negociatave është Edi Rama. Ai ka 6 vjet që, me keqqeverisjen e tij, po bllokon ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ndaj, duhet të jetë e qartë për të gjithë, nëse Shqipëria do që të bashkohet me Bashkimin Evropian, kjo do të ndodhë pa Edi Ramën. Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Nëse ai do të vendoste interesat e shqiptarëve para interesave të tij, Rama do të ikte, do të na çlironte nga qeverisja e tij e dështuar dhe do të na linte të ecnim drejt Bashkimit Evropian. Ndaj të mos ketë asnjë dyshim se ky vendim është një dështim personal për Edi Ramën. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por ka të bëjë me Edi Ramën”.

Sipas sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PD-së, “nuk janë problemet e brendshme të Evropës ato që pengojnë vendet evropiane të hapin negociatat me Shqipërinë. Është korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe sundimi i dështuar i Edi Ramës që nuk bind Bashkimin Evropian. Janë mijëra shqiptarë që kërkojnë azil në Francë, nën qeverinë e Edi Ramës, Shqipëria nuk është më i tyrja, po i një grushti oligarkësh dhe kriminelësh. Në raport me popullsinë, numri i azilkërkuesve shqiptarë gjatë qeverisë së Edi Ramës është më i larti në botë. Krimi shqiptar është dhjetëfishuar në Holandë, por trafikantët e drogës në Shqipëri shndërrohen në biznesmenë të fuqishëm, që pastrojnë para dhe blejnë gjithçka, drejtësinë, qeverinë, parlamentin.

Për të gjitha këto nuk e ka fajin Evropa. Ky është dështimi personal i Edi Ramës. Është ajo çfarë ka mbjellë 6 vjet në drejtimin e vendit, duke shkelur pa mëshirë interesat e shqiptarëve, duke i zbuar ata nga vendi dhe duke e bërë Shqipërinë parajsën e krimit të organizuar dhe të disa klientëve të tij, me të cilët grabit pasuritë e shqiptarëve dhe i varfëron ata. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kuptuar se për sa kohë Shqipëria do të drejtohet nga Edi Rama, vendi ka për të bërë vetëm hapa prapa”.

“Edi Rama nuk ka ndërmend të përmbushë as 9 kushtet e Bundestagut gjerman, që për opozitën janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e vendit nga kriza. Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm duke zbatuar standardet më elementarë për barazinë para ligjit, Shqipëria do të bëhet si Evropa dhe Evropa do të na pranojë në familjen e saj”, u shpreh sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD, Arben Kashahu.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare