Përkujtohet rektori Ejup Statovci

Përkujtohet rektori Ejup Statovci

Përkujtohet rektori Ejup Statovci, kërkohet që një institucion i lartë arsimor, një shesh dhe një rrugë të mbajnë emrin e tij.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar sot orë përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së rektorit të UP-së, Ejup Statovci.

Aty u mbajt një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së rektorit Ejup Statovcit.

Prorektorja në Universitetin e Prishtinës, Myrvete Badivuku, ka thënë se figurat si profesor Ejup Statovci mbetën gjatë në histori.

“Jam e nderuar që në emër të rektorit Marjan Dema, të shpreh respektin për një figurë madhore të kombit shqiptarë, për një udhëheqës aq të guximshëm. Figurat si Statovci janë figurat ku historia shkruan faqe të veçanta, ishte pranë universitetit dhe popullatës. Profesor Statovci la shumë kujtime për ata që e kishin pranë. Sot po e rikujtojmë, po rikthehet edhe dhimbja jonë për mungesën e tij”, ka deklaruar ajo.

Ish-bashkëpunëtori i profesor Statovcit, Avdullah Aliu, ka pohuar se është i nderuar që ka punuar me të në kohën më të vështirë për botën akademike në Kosovë.

“Prof Statovci me kushte të vështira dhe me vullnet të lartë arriti ta kryente doktoratën dhe të hynte profesor në universitetin e Prishtinës. Krijimtaria shkencore ka një kontinuitet dhe nuk ndryshoi as nga politika, ai kontribuoi edhe në afirmimin e kuadrove të reja, ai u angazhua edhe në aktivitete për liri, barazi dhe pavarësi të Kosovës”, ka thënë ai.

Po ashtu, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së rektorit të UP-së, Ejup Statovci, një delegacion, ku ishin të pranishëm edhe bashkëpunëtorë të tij vendosën lule mbi varrin e Statovcit./Epokaere/