Interi përballë “makthit” Sassuolo, debutojnë Ranieri e Pioli

Interi përballë “makthit” Sassuolo, debutojnë Ranieri e Pioli

Seria A vjen sot me disa takime të javës së 8, teksa do të startojë që në orën 12:30 me sfidën e “Mapei Stadium” mes Sassuolos dhe Interit, me zikaltrit që do të kërkojnë fitoren për të mbajtur hapin e Juventusit, që përkohësisht e ka çuar në 4 pikë distancën në krye.

Sassuolo është shndërruar në një “mace të zezë” për Interin në sezonet e fundit, duke e mposhtur shpesh si në “Mapei Stadium” ashtu edhe në “San Siro”, por në orën 12:30 zikaltrit ruajnë kujtime të bukura, pasi në shtator të 2013-ës ia dolën të triumfojnë 0-7, ndërsa një vit më vonë përsëritën të njëjtin rezultat në Milano.

Në orën 15:00 vëmendja do të jetë te sfida e Gjenovës, ku trajneri Claudio Raieri do të debutojë në bankinën e Sampdorias, teksa menjëherë do të gjejë përballë skuadrën e tij të zemrës, Romën.

Sampi mban vendin e fundit të renditjes me vetëm 3 pikë në 7 javë dhe ka nevojë për t’u rikthyer te rezultatet, ndërsa nuk po bën mirë as Roma, që ka grumbulluar vetëm 12 pikë dhe është larg skuadrave kryesuese.

Një tjetër sfidë interesantë në orën 15:00, do të jetë edhe ajo mes Cagliarit dhe Spalit, me sardët që po rezultojnë një surprizë e vërtetë në këto javë të para, ndërsa Etrit Berisha është bërë gati për një tjetër pasdite impenjative.

Në orën 18:00, në “Tardini” Parma do të presë Genoan, një tjetër skuadër në krizë rezultatesh, por që në fund vendosi të konfirmojë besimin ndaj trajnerit Andreazzoli. Vendasit vijnë në këtë takim pa kapitenin Bruno Alves, që u dëmtua dje, ndërsa nga minuta e parë mund të debutojë në Serinë A edhe mbrojtësi shqiptar Kastriot Dermaku.

Në mbrëmje vëmendja do të jetë e gjitha në “San Siro”, ku Stefano Pioli do të bëjë prezantimin e tij të parë si trajner i Milanit, në përballjen me modestët e Lecces, që vetëm këtë verë arritën të rikthehen në Serinë A, transmeton SS.

Pas rezultateve negative dhe një loje aspak shpresëdhënëse në 7 javët e para me Marco Giampaolon, drejtuesit e Milanit vendosën t’i besojnë pankinën ish trajnerit të Lazios, Interit e Fiorentinës, që ka për mision jo vetëm të fitojë, por edhe të bëjë skuadrën të luajë bukur në fushë.