Banorët e kundërshtojnë ndërtimin e parkingut në oborrin e Hasan Prishtinës

Banorët e kundërshtojnë ndërtimin e parkingut në oborrin e Hasan Prishtinës

Projekti i komunës së Obiliqit për ndërtimin e një parkingu në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina”, për stafin e saj në Milloshevë po kundërshtohet nga banorët.

Ata po thonë se me këtë projekt Komuna e Obiliqit është duke e dëmtuar parkun ku kanë qëndruar nxënësit dhe prindërit e fëmijëve, kur i bartin në shkollë.

“Ne nuk e përkrahim ndërtimin e këtij parkingu, pasi po dëmtohet parku. Ne qëndrojmë aty kur i marrim fëmijët nga shkolla edhe prandaj nuk kemi dëshirë që ky parking të ndërtohet në atë vend”, ka thënë një banor.

Mirëpo, në Komunën e Obiliqit po thonë se të gjitha procedurat ligjore publike për realizimin e këtij projekti janë zbatuar dhe realizuar duke përfshirë edhe debatin publik.

Ata kanë akuzuar njërën prej partive politike se në këtë mënyrë dëshiron ta promovojnë vetën.

Agim Spahiu, Drejtor i Arsimit, në komunën e Obiliqit, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka thënë se pjesa e infrastrukturës që është ndërtuar në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” në Milloshevë, ka qenë paketë e projektit të sallës sportive e cila është në përfundim.

“Pjesa e infrastrukturës  që është ndërtuar në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” në Milloshevë, ka qenë paket  e projektit të sallës sportive e cila është në përfundim. Gjitha procedurat ligjore publike për realizimin e këtij projekti janë zbatuar dhe realizuar duke përfshirë  edhe debatin publik të organizuar për projektin në fjalë vitin e kaluar. Një subjekt politik me këtë mënyrë dëshiron të promovojë vetën”, ka thënë  Spahiu.

Ky parking është pjesë e projektit të sallës sportive, gurëthemeli i së cilës u vë në maj të këtij viti me vlerë 244 mijë euro.