Trupat amerikane nga Siria zhvendosen në Irak

Trupat amerikane nga Siria zhvendosen në Irak

Të gjitha trupat amerikane që tërhiqen nga pjesa veriore e Sirisë, do të zhvendosen në pjesën perëndimore të Irakut, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper.

Sipas planeve të tanishme, Esper tha se rreth 1,000 ushtarët amerikanë do të jenë në gjendje gatishmërie në rast se paraqitet kërcënim nga rigrupimi i militantëve të Shtetit Islamik, transmeton REL.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë më herët se këto trupa do të kthehen në shtëpi.

Njoftimi i Trumpit, rreth dy javë më parë, për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria i ka hapur rrugë një ofensive të ushtrisë turke kundër milicive kurde në veri të Sirisë.

Turqia i konsideron këto milici si terroriste dhe i do larg kufirit të saj, ndonëse ato kanë qenë aleate kyçe të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ofensiva që ka zgjatur tetë ditë, ka lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur.

Një marrëveshje për armëpushim pesëditësh është arritur të enjten, për t’iu mundësuar milicive kurde të tërhiqen rreth 30 kilometra larg kufirit.

Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar se do të rinisë ofensivën nëse milicitë kurde nuk tërhiqen plotësisht deri të martën mbrëma.

Në një tjetër zhvillim, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, dhe një grup i ligjvënësve amerikanë kanë arritur në Jordani për bisedime me Mbretin Abdullah.

Pelosi dhe zyrtarë të tjerë në SHBA e kanë kritikuar ashpër vendimin e presidentit Trump për tërheqjen e trupave nga veriu i Sirisë.