Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë

Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë

Kosova si vend i pasur me burime të trashëgimisë kulturore dhe historike i ka mundësitë e veta për një zhvillim, që mund të çojë në ndryshimin e rolit të turizmit edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Kosova është e njohur për një numër të madh të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Territori i Kosovës së sotme ka një histori të lashtë të qytetërimit që dëshmohet me lokalitetet arkeologjike, fortifikata, qytete, monumente sakrale e profane, monumente dhe peizazhe natyrore që mundësojnë  zhvillimin e turizmit kulturor.

Ndër potencialet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit kulturor në Kosovë sot llogariten:vendbanimet e fortifikuara, lokalitetet arkeologjike, çarshitë e vjetra qytetare, monumentet sakrale dhe profane, shpellat, ujëvarat, malet, peizazhet natyrore etj. Kosova edhe pse përfshinë një territor të vogël, ka monumente me thesare të pasura që kanë vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore e historike. Po ashtu kjo trevë është e pasur me vlera të trashëgimisë shpirtërore, materiale dhe natyrore që pasqyrojnë gjurmë të civilizimit të lashtë nga tradita, kultura dhe mënyra e jetesës që nga periudha e neolitit të hershëm  e deri te krijimtaria e sotme.

Mungesa e infrastrukturës, politizimi i trashëgimisë kulturore, promovimi i dobët dhe vetëdijesimi i pamjaftueshëm i popullatës për rolin e monumenteve të kulturës në zhvillimin ekonomik të vendit, ka ndikuar që turizmi kulturor në Kosovë të ngecë prapa vendeve tjera në rajon. Kosova ka potencial të madh turistik por fatkeqësisht  jo të promovuar mirë dhe sa duhet para vizitorit  vendas dhe të huaj,dhe krejt kjo bëhet vetëm duke mos i kushtuar rëndësi kësaj pasurie të madhe që ka.

Për publikun e gjerë, kjo pasuri e madhe fatkeqësisht mbetet ende e panjohur dhe e pa shpalosur mirë nga ana e institucioneve përkatëse. Trashëgimia kulturore dhe historike e Kosovës,  me një zhvillim gradual dhe mirë  të planifikuar mund të çojë në ndryshimin e rolit të turizmit në ekonominë e vendit. Shfrytëzimi i monumenteve të kulturës mundëson tërheqjen e vizitorëve dhe rritjen e shpenzimeve të tyre nëpër rajone turistike e kjo do të ndikonte drejtpërdrejt  në mbështetjen e bizneseve të vogla kulturore dhe  lokale për banorët vendor që ofrojnë shërbime turistike. Deri më tani nuk ka strategji që të zhvillohet ky sektor i turizmit për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe mundësi të punësimit në përmasat e mundësive që ofron ky sektor. Viteve të fundit vërehet interesimi për zhvillimin  e turizmit rural në disa zona në komunën e  Pejës dhe Prizrenit, por në zonat tjera nuk ka projekte për të shfrytëzuar kapacitetet e mundshme që ofron trashëgimia kulturore dhe natyrore.

E tërë kjo gjendje pasqyron nevojën se ka ardhur momenti të cilin duhet shfrytëzuar menjëherë në rritjen e aktivitetit në promovimin e vlerave të trashëgimisë tonë kulturore dhe historike, në rritjen se kapaciteteve turistike, në institucione dhe  monumente të kulturës  për pritjen e një numri më të madh të vizitorëve.

Për të pasur suksese në këtë drejtim, institucionet përkatëse duhet të hartojnë planet për zhvillimin e turizmit, që ndërlidhet me  vlerat e trashëgimisë tonë kulturore e historike.

Paraqitja e këtyre vlerave  dhe lokaliteteve turistike së bashku, si oferta turistike të Kosovës, nuk do të mund të bëhet pa një infrastrukturë të komunikacionit që duhet përmirësuar dhe zgjeruar. Ujëvarat e Mirushës është njëra ndër vendet me vlera natyrore që do të sillte mjaftë të ardhura ekonomike po të kishte infrastrukturë dhe qasje të lehtë deri kjo pikë turistike. Lidhjet  e mira të komunikacionit në nivel të vendit deri te lokalitetet dhe monumentet e kulturës, por edhe me vendet fqinje, mund ta vendosin Kosovën si rajon  turistik për një numër të madh turistësh.

Kosova, edhe pse nuk ka det, ka mjaft burime turistike që krijojnë mundësinë për zhvillimin e llojeve të tjera të turizmit. Ajo ka trashëgimi të pasur kulturore dhe natyrore që i krijojnë mundësi për të përfituar ekonomikisht por edhe në planin e prezantimit të vlerave të kulturës, si  para vizitorit të huaj ashtu edhe para atij vendor. Vështruar nga aspekti i turizmit, Kosova është e përbërë prej pesë zonave turistike: 1. Zona turistike e Alpeve Shqiptare, 2. Zona turistike e maleve të Sharit, 3. Zona turistike e Prishtinës, 4. Zona turistike e Mitrovicës (Shalës së Bajgorës), dhe 5. Zona turistike e Anamoravës.[1]

Popullata e Kosovës karakterizohet me mikpritjen dhe ngrohtësinë që ka për vizitorët. Me trashëgiminë e pasur kulturore, me veshjet kombëtare, me folklorin, zakonet, traditën, me kuzhinën tradicionale, me trashëgiminë shpirtërore, Kosova ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit bashkë me të gjitha burimet e tjera nga trashëgimia natyrore. Promovimit të  këtyre vlerave institucionet tona pak ju kanë dhënë rëndësi, e aq më pak edhe aplikimit të promovimit  të vlerave të tilla përmes publikimeve dhe  marketingut.

Kosova, falë edhe begative natyrore si trashëgimi e këtij vendi, po të kishte pasur orientim të promovimit të këtyre vlerave, sidomos duke i dhënë përparësi koncepteve të marketingut dhe publikimeve, do të kishte vetëdijesim më të madh të popullatës për mundësitë e zhvillimit të turizmit. Kosova njihet si vend me shumë vendbanime të fortifikuara. Hulumtimi i këtyre  resurseve të reja kulturore do të plotësonte kërkesat dhe dëshirat e adhuruesve të kësaj fushe. Përmes projekteve për plotësim këtyre kërkesave do të kishte përfitime shumë të mëdha, si në aspektin e  përfitimit material po ashtu edhe atë kulturor.

Kosova është paraqitur vonë në tregun turistik, për shkak të pozitës koloniale që ka pasur dhe izolimit të plotë në rrjetin e komunikacionit dhe zhvillimit të dobët ekonomik. Në periudhën e shekujve XIX dhe XX nga aspekti turistik Kosova ka qenë mjaft e pazhvilluar, andaj koncepti  themelor nga studiuesit e huaj ka qenë  përshkrimi për doket, traditën dhe kulturën. Zhvillimi i turizmit lokal në Kosovë ka filluar nga vitet 1970 e këndej. Prapambetja e gjithëmbarshme e zhvillimit strategjik të turizmit ka ndikuar që investimet të shkojnë në degë tjetra të ekonomisë duke lënë anash  potencialet e zhvillimit të turizmit kulturor.

Në periudhën e pasluftës në Kosovë edhe sektori i turizmit ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë kosovare filloi të funksionoi por me vështirësi të mëdha. Dëmet që kishte pësuar ky sektor  nga masat e dhunshme në vitet 1989-1999, ishin shumë të mëdha. Gjatë kësaj periudhe dhe sidomos gjatë luftës 1998-1999 ishin shkatërruar institucionet kulturore dhe shumë objekte me vlera monumentale ishin bartur në Serbi. Një thesar i madh i vlerave kulturore u mor nga Kosova. Ato objekte ishin një potencial i madh i zhvillimit të turizmit në vendin tonë. Është fjala për disa mijëra eksponate, të cilat akoma nuk i janë kthyer Kosovës. Granatimi dhe rrënimi i objekteve të kultit ka çuar në politizimin e skajshëm të politikave kulturore ku shumë monumente të rëndësishme kulturore sot në Kosovë nuk mund të vizitohen nga popullata vendore dhe zyrtarë vendorë të etnokulturës. Gjendja e vështirë politike në dy dekadat e fundit të shekullit XX ndikoj shumë në pamundësitë e lëvizjes së lirë të popullatës shqiptare brenda vet hapësirës gjeografike të Kosovës, e kjo ndikoj dukshëm që një numër i madh i qytetarëve të mos kenë njohuri për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendit tonë.

Pas vitit 1999 intervenimet pa leje nga institucionet përkatëse në shumë objekte të kultit ortodoks dhe në enklava e krijuara me popullatë joshqiptare kanë shkelur kriteret ndërkombëtare për monumentet e kulturës.

Për të ruajtur interesat e popullatës serbe në Kosovë, politika serbe pas luftës se vitit 1998/99 kryesisht ishte përqendruar në përvetësimin e objekteve të kultit ortodoks si dhe në krijimin e enklave serbe. Në këtë kohë filloj procesi i decentralizimit dhe ndarja e kishave dhe manastireve ortodokse nga trashëgimia kulturore e Kosovës. Me ndihmën e ndërkombëtarëve pas 17 marsit të vitit 2004, u nënshkruan shumë marrëveshje në mes të institucioneve të përkohshme nën udhëheqjen e UNMIKU-të dhe kishës ortodokse serbe. Kjo gjendje e krijuar ua mundësoi autoriteteve nga Beogradi që të ndërhyjnë në punët konservuese dhe restauruese të objekteve  të kultit ortodoks dhe në disa nga enklavat e krijuara serbe,në disa lokalitete të bëhen edhe hulumtime arkeologjike. Gjatë kësaj periudhe rezultatet e këtyre hulumtimeve dërgoheshin në institucionet përkatëse në Serbi. Nga ndërhyrjet joprofesioniste në objektet e kultit ortodoks janë bërë ndryshime duke cenuar autenticitetin e monumenteve me qëllim të falsifikimit dhe tjetërsimit të vlerave kulturore.

Duke e shfrytëzuar situatën politike institucionet për mbrojtjen e monumenteve nga Serbia bënë hulumtime arkeologjike dhe zgjerimin e murit rrethues ne manastirin e Gracanices, murin rrethues dhe ndërhyrjet e shumta në manastirin e Sokoleshës, ndërhyrjet e shumta në Manastirin e Deçanit, në Banjska, gërmime arkeologjike në municipiumin D.D në veri të Mitrovicës, ndërtimin e kishës në lokalitetin arkeologjik në fshatin Budrikë të komunës së Gjilanit etj. Politizimi i trashëgimisë kulturore dhe ndërhyrjet me qëllim të përvetësimit, duke e bërë të pamundur qasjen e komunitetit shumicë në këto objekte, para turistëve dhe qytetarëve të huaj japin një imazh tjetër ndaj atyre monumenteve dhe tani duken krejtësisht ndryshe nga ato që ishin më parë.

Djegia e afro 1000 kullave dhe rrënimi i ekonomive familjare të popullatës e ka ngadalësuar zhvillimin e turizmit rural dhe familjar. Pas luftës, që nga qershori i vitit 1999 në Muzeun e Kosovës, në shumë vende të fortifikuara si dhe në një numër të konsiderueshëm të objekteve turistike ishin vendosur KFOR-i, UNMIK-u dhe institucionet ndërkombëtare. Një nga shembujt më eklatant është edhe qendra shumë e rëndësishme turistike, “Brezovica” e cila që nga ajo kohë ende gjendet jashtë rrjedhave normale zhvillimore të turizmit dhe jashtë mbikëqyrjes institucionale të Kosovës. Vështirësi tjetër që e ka përcjellë zhvillimin e turizmit në Kosovë, është se deri në krijimin e Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse (IPVQ), sektori i turizmit ka qenë jashtë rrjedhave institucionale, nuk ka ekzistuar thuajse asnjë person përgjegjës që në mënyrë institucionale do të ndihmonte zhvillimin e këtij sektori. Dëmet e shkaktuara nëpër lokalitete, objekte dhe monumente të kulturës kapin një kosto të lartë për t’i përtërirë  dhe ofruar për vizitorë.

Si pasojë e kësaj gjendje, institucionet kulturore shtetërore që ofrojnë turizmin në Kosovë ende janë jashtë funksionalizimit në aspektin administrativ dhe me mungesë të hapësirës për tu zhvilluar. Muzeu i Kosovës ende nuk ka ekspozitë të përhershme për asnjë sektor të vetëm, madje edhe pse kanë kaluar dy dekada pas luftës së fundit. Ky institucion nuk ka laborator për konservimin e artefakteve, por vazhdimisht përballet me probleme të renovimeve të objektit. Muzeu enologjik po ashtu është në renovim e sipër dhe nuk është pajisur me artefakte të reja nga terreni.

Institucionet për promovimin e kulturës dhe turizmit në Kosovë nuk kanë ndonjë program apo udhërrëfyes të caktuar me harta për ti orientuar turistët e huaj, nuk kanë programe për vizitë dy apo tre orë në kryeqytet, nuk kanë programe një ditësh në zonën e Prishtinës, dhe nuk kanë programe turistike për dy apo më shumëditëshe në territorin e Kosovës.

Në Kosovë deri më sot nga institucionet e shtetit nuk ka as ciceron të specializuar për shoqërimin e turistëve të huaj. Pas luftës janë formuar disa agjenci turistike që nuk posedojnë staf të specializuar, nuk posedojnë as harta orientuese dhe shpesh herë i shohim që turistet e huaj i dërgojnë në tregun e perimeve dhe plaçkave në kryeqytet. Me veprime të tilla këto OJQ më shumë i bëjnë dëm vendit dhe krijojnë një imazh të keq për kulturën tonë popullore, kur dihet se tregu i Prishtinës nuk plotëson as standardet minimale për të funksionuar.

Mungesa e specializimit të ciceronëve për të shpjeguar për vlerat tona kulturore dhe natyrore para vizitorëve të huaj në vazhdimësi po i degradojnë vlerat tona etno-kulturore dhe natyrore. Me shpjegimet e tyre frazeologjike këta shoqërues të turistëve të huaj shpesh herë janë dëgjuar ti prezantojnë vlerat tona në mënyrë jo të drejtë dhe jashtë kritereve shkencore si p.sh: Kur shpjegojnë për figurat antropomorfe të periudhës së neolitit turistëve ju thonë! Kjo është “Hyjnesha në Fron”, Kjo është “Gjyshja e Hyjneshës në Fron”, “Hyjnesha” e gjetur në këtë lokalitet arkeologjik është më e vjetër se “Hyjnesha” e zbuluar në lokalitetin tjetër! Kur shpjegojnë për trashëgiminë natyrore bëjnë gabimin e njëjtë. Shpesh herë kemi pasur rastin të dëgjojmë ciceronët tanë duke bërë parafytyrimin e shumë figurave me fenomene natyrore si p.sh: në Shpellën e Gadimës shumë pamje të stalaktiteve dhe stalagmiteve i krahasojnë me figura dhe simbole tona kombëtare dhe objekte tjera si: Kjo është “Mjekra e Skënderbeut”, ky është “Flamuri ynë kombëtar”, kjo është “Harta e Kosovës”, këta janë “Gjinjtë e Lopës”, Kjo figurë është “Romeo dhe Gjylejeta”, “Shputat e Elefantit”, “Gjuha e Vjehrrës”, “Peshku”, “Gjarpri” etj. Me ciceronë të tillë të pa specializuar dhe të pa arsimuar po i bëjmë dëm imazhit të vendit, kulturës tonë popullore dhe zhvillimit të turizmit. Me sjellje te tilla këta ciceronë asnjëherë  nuk janë në gjendje të shpjegojnë drejt dhe në mënyrë shkencore fenomenet natyrore, krijimin e shkëmbinjve, llojin e shkëmbinjve, përbërjen e mineraleve, krijimin e aragoniteve  dhe elementeve  tjera që e bëjnë të veçantë këtë shpellë.

Për ta përmirësuar gjendjen në sektorin e turizmit kulturor është e domosdoshme të bëhet sa më shumë promovimi i vlerave tona kulturore dhe natyrore, si dhe arsimimi dhe vetëdijesimi i popullatës për rëndësinë e zhvillimit të kësaj dege të ekonomisë.

Megjithatë, viteve të fundit është punuar diçka  rreth konservimit dhe restaurimit të disa monumenteve dhe objekteve me vlera etno-kulturore por jo edhe aq mjaftueshëm sa për të qenë tërheqëse për vizitorë.

Në të gjitha rajonet e Kosovës është investuar në ndërtimin e lokaleve hoteliere në peizazhe dhe ambiente të hapura, ku përveç ushqimeve tjera ofrohet edhe ushqimi tradicional vendor. Në disa prej këtyre lokaleve janë ekspozuar artefakte nga etnokultura dhe ekonomia familjare e popullatës së Kosovës. Për të gjitha këto begati të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë, shoqëria kosovare duhet të hartojë një strategji për zhvillim dhe  promovimin e vlerave të tyre përmes koncepteve të marketingut, nga i cili veprim do të përfitonte e tërë Kosova dhe populli i saj, si në aspektin  e njohjes së identitetit kombëtar, po ashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Me qëllim të kuptimit të gjendjes reale në terren gjatë vitit 2013 e kam realizuar një hulumtim empirik me qytetar lidhur me njohuritë e tyre për monumentet kulturore dhe historike në vendin tonë.

Hulumtim empirik lidhur me njohuritë e qytetarëve të Prishtinës për monumentet kulturore dhe historike

Në Kosovë deri me tani nuk ka pasur ndonjë projekt për vetëdijesimin e masave të gjera të popullatës për rolin e objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.

Pas rrënimit të ekonomisë së Kosovë gjatë luftës së viteve 1998/99, kjo ka ndikuar që shumë qytetarë pas luftës të ballafaqohen me kushte të rënda ekonomike, andaj edhe nuk posedojnë informata lidhur me zhvillimin e turizmit rural.

Vizitat e pakta monumenteve të trashëgimisë kulturore të organizuara nga institucionet kanë ndikuar që qytetarët e Kosovës pas mbarimit të shkollave të mesme në të shumtën e rasteve kanë pasur rastin të vizitojnë ndonjë monument kulture gjatë vizitave familjare dhe shumë pak prej tyre kanë bërë vizita turistike me qëllim për të përjetuar një shije dhe kënaqësi të dëshiruar.

Për të pasur një pasqyrë më të qartë kam menduar që anketa me qytetarë të zhvillohet në tregun e perimeve duke e ditur se aty frekuentojnë të gjitha shtresat e popullatës dhe me arsimtarë të lëndës së historisë në shkolla të mesme dhe fillore me qëllim që roli i arsimimit për rëndësinë e objekteve dhe  monumenteve të kulturës në zhvillimin e turizmit. Anketa me qytetarë është realizuar gjatë vitit 2013.

Sa i përket njohurive të qytetarëve, lidhur me rolin e trashëgimisë  kulturore në zhvillimin e turizmit, kam intervistuar një numër prej 60 qytetarësh nga grupe moshash të ndryshme në tregun e Prishtinës, të cilët kanë shprehur mendimin e tyre. Pyetjet që iu parashtruan qytetarëve ishin:

Në pyetjen nr. 1 – Sa keni njohuri për kështjellat, qytetet antike dhe mesjetare në Kosovë?, Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve prej 60 qytetarësh, 38 (63%) të anketuar pohojnë se e kanë vizituar apo edhe kanë dëgjuar për ndonjë kështjellë apo qytet antik mesjetar në Kosovë edhe atë kryesisht përmendin Kalanë e Artanës dhe Kalanë e Prizrenit, ndërsa 22 (37%) të anketuar pohojnë se nuk kanë njohuri (nuk shprehin interesim për të folur për këtë temë).

Në pyetjen nr. 2 – Ku shtrihet qyteti antik Ulpiana?, 53 (88%) të pyetur përgjigjen se qyteti antik i Ulpianës shtrihet në lagjen e sotme Ulpiana të qytetit të Prishtinës dhe vetëm 7 ose 12% të  intervistuarve japin përgjigjen duke pohuar se qyteti antik i Ulpianës shtrihet afër Graçanicës.

Në pyetjen nr. 3 – A e keni vizituar ndonjëherë Kështjellën e Artanës?, nga numri i përgjithshëm i të anketuarve (60), 49 qytetarë ose 82% përgjigjen se asnjëherë nuk e kanë vizituar Kështjellën e Artanës. Përderisa, 11 qytetarë ose 18% të tyre pohojnë se e kanë vizituar Kështjellën e Artanës, me ç’rast 7 (64%) prej tyre e kanë vizituar Kështjellën e Artanës me familjarë sepse kanë atje lidhje familjare, ndërsa 4 (36%) qytetarë e kanë vizituar nga kureshtja për të parë atë vendbanim të rëndësishëm (Fig. 3 dhe Fig. 4).

                                                        Fig – 3

                                                        Fig – 4

Në pyetjen nr. 4 – A e keni vizituar ndonjëherë Kalanë e Prizrenit?, kemi siguruar këto përgjigje: nga numri i përgjithshëm i të anketuarve 37 qytetarë ose 62% përgjigjen se nuk e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit, kurse 23 ose 38% e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit. Nga ky numër (23) i qytetarëve të cilët e kanë vizituar Kalanë e Prizrenit, 17 (74%) prej tyre kanë vizituar në mënyrë të organizuar, ndërsa 6 (26%) qytetarë e kanë vizituar me familjarë (Fig. 5 dhe Fig. 6).

                                                        Fig – 5

                                                              Fig – 6

Në pyetjen nr. 5 – A keni vizituar ndonjë urë të gurit në Kosovë, 49 të anketuar të pyetur ose 82% përgjigjen se e kanë vizituar ndonjë urë të gurit, ndërsa 11 të anketuar ose 18% nuk kanë pasur rastin të vizitojnë asnjë urë të gurit në Kosovë.

                                                        Fig – 7

Hulumtimi empirik përveç në Prishtinë u zhvillua edhe në qendrat tjera të Kosovës: Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Dardanë dhe rezultatet e hulumtimit do të prezantohen në pikën 2.

2- Hulumtimi empirik në pesë qendra të Kosovës

Arsyeja e hulumtimit ishte ekskluzivisht për qëllime studimore. Pyetësori është përdorur vetëm për qëllime të studimeve se sa kanë njohuri qytetarët për monumentet e trashëgimisë kulturore.

Metodologjia e hulumtimit është bazuar në metodën primare të anketimit dhe   

Si mostër janë pyetur 80 qytetarë nëpër 5 qendra të Kosovës.

Në pesë qendra të Kosovës janë pyetur 12 profesorë të lëndës së historisë.

Koha e anketimit ka zgjatur nga 15 prilli 2013 deri më 20 qershor 2013.

 Anketat me qytetarë janë bërë në tregjet e qyteteve, kryesisht me punëtorë tregu të pa arsimuar dhe me shkollë të mesme. Përderisa, anketat me profesorë të historisë janë realizuar nga mësimdhënës në shkolla fillore dhe të mesme në pesë qytete të Kosovës.

 Qëllimi i këtij hulumtimi ishte të kuptohet se sa janë të informuar qytetarët për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës, në raport me mësimdhënësit e lëndës së historisë.

Nga anketa e zhvilluar është synuar të kuptohet edhe rëndësia e promovimit të vlerave kulturore në plan programet shkollore, publikimet shkencore si dhe medieve të informimit elektronik.

Pyetja nr. 1.  A mendoni se është shumë e nevojshme që Kosova të bëjë promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike përmes konceptit marketing?

Tabela nr. 1.

Siç shihet nga tabela nr. 7 nga numri total i 80 të anketuarve  në pesë qendrat rajonale në Kosovë, 84 % (67), të anketuar përgjigjen se është e nevojshme që Kosova të bëjë promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike përmes konceptit marketing, kurse 16% (13), përgjigjen: nuk e di. Sa i përket profesorëve të anketuar, të gjithë anketuarit ishin të mendimit se është e domosdoshme të bëhet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë.

                                                           Fig – 8

Pyetja nr. 2. A jeni të kënaqur me promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë?

Tabela nr. 2.

Në pyetjen nr. 2: A jeni të kënaqur me promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë? Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të anketuarve, 72% (58) deklarojnë se janë të kënaqur për sa i përket promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë, 19% (15), përgjigjen se janë të kënaqur dhe 9% (7), japin përgjigjen: nuk e di.

Pyetja nr. 3. A mendoni se përmes marketingut dhe publikimeve do të ishte bërë kthesë e madhe për njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë?

 Tabela nr. 3

Në pyetjen nr. 3 – A mendoni se përmes marketingut dhe publikimeve do të ishte bërë kthesë e madhe për njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë? Nga numri total i të anketuarve (80), 42% (34), përgjigjen se kjo do të ndikonte shumë në ngritjen e vetëdijes për sa i përket njohjes së trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimit të turizmit në Kosovë. Nga të anketuarit 40% (32), mendojnë se marketingu dhe publikimet do të ndikonin pjesërisht në njohjen e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe zhvillimin e turizmit në Kosovë. Përderisa, 18%  (14), përgjigjen: nuk e di.

                                                               Fig – 10

Duke u bazuar në gjendjen faktike në terren del se gjendja e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore është e rëndë si pasoj e mungesës së infrastrukturës, gjendjes fizike të tyre dhe politizimit të trashëgimisë kulturore.

Duke u bazuar në hulumtimin vijmë në përfundim se mos promovimi i duhur i turizmit dhe monumenteve të kulturës, gjendja e rënd ekonomike e popullatës dhe niveli i ulët i arsimimin ka ndikuar që qytetarët të mos kenë njohuri për shumë monumente pasi që shumë pak prej tyre kishin pasur rastin ti vizitonin.

Si përfundim nga hulumtimi im për gjendjen, pengesat e shumta dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit shkaktarët kryesor janë politizimi i monumenteve të kulturës, mungesa e promovimit dhe infrastrukturës deri te monumentet dhe pasuritë e trashëgimisë natyrore. Nga ajo që është trajtuar në këtë punim mund të them se është nevoje mese e domosdoshme dhe koha e fundit që të evitohen dobësitë që e pengojnë zhvillimin e turizmit si degë e rëndësishme ekonomike në vendin tonë.

Dr. Qazim Namani