Maqedoni, opozita kërkon rezolutë kundër deklaratës bullgare

Maqedoni, opozita kërkon rezolutë kundër deklaratës bullgare

Maqedonia duhet të miratojë një rezolutë, që do t’i tregojë Bullgarisë se cilat janë linjat e reja të kuqe në përgjigje të fyerjeve dhe shantazheve të Sofjes.

Ky është propozimi i liderit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski, i cili e vendosi atë në tryezën e takimit të liderëve mbrëmë te Presidenti. Ai mori pëlqimin nga të gjitha partitë. Nga partia opozitare thonë se në ditët në vijim do të reagohet përmes Kuvendit ose në ndonjë mënyrë tjetër.

"Lidhur me të gjitha reagimet ndaj kësaj deklarate, është e pashmangshme nga ana jonë, nga Republika e Maqedonisë të ketë reagim ndaj deklaratës së tillë, nga të  gjithë, përfshirë edhe Pendarovskin dhe Zaevin që u pajtuan se nevojitet reagim i menjëhershëm. Do shohim në ditët në vijim si do shkojë kjo punë. Nëse nuk ndërmarrin nismë, VMRO-DPMNE do e bëjë këtë”, tha Igor Janushev, VMRO DPMNE.

Nga LSDM-ja me qëndrim se askush nuk mundet ta kontestojë atë që është konfirmuar edhe në letërnjoftimin që e kemi në Kombet e Bashkuara, e ajo është se ne jemi maqedonas dhe flasim gjuhën maqedonase. Marrëdhëniet me Bullgarinë dhe të gjithë fqinjëve tonë patjetër t’i ndërtojmë me përgjegjësi, pa u ofenduar askush dhe pa ia trazuar askujt ndjenjat kombëtare.

"E dimë që në Republikën e  Bullgarisë është në fazën e fundit fushata për zgjedhjet lokale,  kurse e dimë që  në njëfarë mënyre do të fillojë fushata edhe në vendin tonë. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm që mos të lejojmë të politizohet marrëveshje, madje ky është qëllimi i marrëveshjes”, pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.

Në rezolutën e miratuar së fundmi nga Parlamenti i Bullgarisë ka rreth njëzet kërkesa mes të cilave janë shfuqizimi i gjuhës maqedonase dhe heqja dorë nga pakica maqedonase, e të cilat autoritetet maqedonase duhet t’i plotësojnë që të mos bllokohen aspiratat evropiane të shtetit. Por nga Brukseli nuk morëm datë. Ndërsa në Bullgari nën moton “Ardhmëri Evropiane për Maqedoninë” para ambasadës franceze në Sofje protestohet që të rishikohen qëndrimet e Francës të cilat i cilësojnë si të rrezikshme e që mund të shkaktojnë lëvizje anti-evropiane. /Alsat-m